Një aksident rrugor është regjistruar këtë pasdite në aksin Lezhë-Shkodër, pranë kryqëzimit të Blinishtit, ku një taksi është përplasur me një autobus që transportonte mësuesit e shkollës së Troshanit drejt Lezhës.
Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të lënduara dy gra dhe një vajzë. Të treja janë transportuar në spitalin e Lezhës, ku po marrin ndihmë mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, ato janë jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se aksidenti ka ndodhur në momentin kur autobusi me mësuesit po hynte në superstradën Lezhë-Shkodër, ndërsa është goditur nga taksia që po lëvizte në këtë aks.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

