Aeroporti i Milanos, Malpensa, është emërtuar zyrtarisht me emrin e Silvio Berlusconit, ish-kryeministrit italian, i cili u nda nga jeta në vitin 2023, në moshën 86-vjeçare. Tashmë ai do të quhet Aeroporti Ndërkombëtar i Milanos Malpensa “Silvio Berlusconi”.
Të premten, në aeroport u zhvillua një ceremoni ku morën pjesë disa anëtarë të familjes Berlusconi, si edhe shumë politikanë, mes tyre presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, ministri i Jashtëm Antonio Tajani, i cili është gjithashtu lider i Forza Italia, partisë së themeluar nga Silvio Berlusconi, si dhe ministri i Transportit, Matteo Salvini.
Kërkesa për t’i dhënë aeroportit emrin e Berlusconit ishte paraqitur nga Rajoni i Lombardisë në qershor të vitit 2024 dhe më pas ishte miratuar nga Salvini.
Procedura për emërtimin u bë e mundur në muajt e fundit, pasi në prill Gjykata Administrative Rajonale (TAR) e Lombardisë hodhi poshtë ankimimet e Bashkisë së Milanos dhe të tre bashkive në provincën e Varezes, të cilat ndodhen pranë aeroportit. Ato kundërshtonin vendimin për emërtimin dhe pretendonin se as ato dhe as SEA, kompania që menaxhon aeroportin, nuk ishin përfshirë në proces.
Sipas TAR-it, bashkitë nuk kishin kompetencë për të vendosur mbi emërtimin e aeroportit.
Fillimisht, Pier Silvio Berlusconi, djali i Silvio Berlusconit, kishte shprehur pakënaqësi për mënyrën se si ishte paraqitur propozimi nga Rajoni i Lombardisë, pasi ai dhe anëtarët e tjerë të familjes ishin njoftuar vetëm pasi propozimi ishte bërë publik.
Të premten, megjithatë, Marina Berlusconi, vajza e madhe e Silvio Berlusconit, tha se e bën të lumtur mendimi që emri i babait të saj do t’u japë mirëseardhjen atyre që mbërrijnë në Milano dhe do t’i shoqërojë ata që largohen nga qyteti.

