Delegatët që morën pjesë në samitin e G20 në Romë theksuan se rimëkëmbja e pandemisë po zhvillohet në dy drejtime. Vendet më të varfra me më pak akses në vaksinat anti-Covid po i rikthehen më ngadalë normalitetit në krahasim me vendet e zhvilluara të cilat kishin akses në vaksina.
Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, tha se nevojiten më shumë fonde për të adresuar probleme të tilla.
“Ne kemi ende 20 miliardë dollarë për të përshpejtuar vaksinimet dhe për të arritur objektivin e vaksinimit të 40 për qind të njerëzve, të paktën, në të gjitha vendet deri në fund të këtij viti, dhe 70 për qind nga mesi i vitit të ardhshëm.
Ministri francez i Financave Bruno Le Maire tha se divergjenca në rritje midis vendeve në zhvillim dhe atyre të zhvilluara do të ishte një “rrezik i madh strategjik për pjesën tjetër të botës”.
Ndërkohë, rastet me COVID-19 vazhdojnë të rriten në të gjithë Europën. Presidenti i Ukrainës të premten i bëri thirrje popullit të tij të vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur. Kroacia është kthyer e gjitha në një zonë të kuqe.
Gjatë 24 orëve të fundit vendi regjistroi 4,392 raste të reja me koronavirus dhe 26 viktima. Më pak se gjysma e popullsisë është vaksinuar dhe disa ekspertë po bëjnë thirrje që certifikatat e COVID-19 të bëhen të detyrueshme gjerësisht për të inkurajuar njerëzit që të vaksinohen kundër Covid-19.
Polonia gjithashtu ka regjistruar numrin më të lartë të të infektuarve. Vendi regjistroi mbi 9000 raste të reja dhe 102 viktima në 24 orë. Zyrtarët shëndetësorë u kërkuan njerëzve që të respektojnë masat, të tilla si mbajtja e maskave në vendet publike dhe u bëri thirrje njerëzve të vaksinohen.
/abcnews.al