Tre emigrantë, mes të cilëve një shqiptar, janë nderuar nga autoritetet më të larta të Greqisë. Ministra të qeverisë dhe presidenti grek u kanë dhënë atyre nënshtetësinë helene për sakrificën e bërë gjatë flakëve që vitin e kaluar përfshinë rajonin e Atikës.
Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos priti në një takim tre emigrantë, dy egjiptianë dhe një shqiptar, të cilëve iu akordua nënshtetësia greke, në shenjë mirënjohjeje për aktet e vetëmohimit dhe shpëtimit të dhjetëra njerëzve nga zjarret në Mati të Atikës, në Korrik 2018.
Ervin Xheka, i ardhur në Greqi nga Lushnja, ishte një nga më të spikaturit në aksionin për shpëtimin e qytetarëve që ishin hedhur në det në përpjekje për t’iu larguar gjuhëve të flakëve. Ervini dhe dy egjiptianët shkonin me not, merrnin në krahët e tyre fëmijë dhe të moshuar dhe i hipnin në skafet e peshkatarëve që më pas i çonin në vende të sigurta ku u jepej ndihma e parë.
Ministri i Brendshëm grek, Aleksis Haritsis kishte nënshkruar pak ditë më parë vendimin që atyre t’u jepej nënshtetësia helene. Ministri vuri në dukje se mirënjohja e të gjithë qytetarëve ndaj tre emigrantëve, të cilët me vetëmohim e tyre shpëtuan qindra jetë, është shumë e madhe./abcnews.al