Skuadra e Kukësit akoma nuk ka gati stadiumin për të zhvilluar ndeshjet si pritës në qytetin e tyre. Mendohej se stadiumi do përfundonte me 15 tetor gjë e cila nuk ndodhi, dhe për këtë Kukësi do “shtegtojë” përsëri në stadiume alternative për të luajtur ndeshjen e javës së gjashtë të “Abissnet Superiore”.
Stadiumet si “Elbasan Arena”, stadiumi i Kamzës, ishin kthyer tashmë në shtëpinë e “verilindorëve”. Edhe ndeshja kundër Vllaznisë ishte parashikuar të luhej në Elbasan.
Sipas “Panorama Sport” stadiumi “Elbasan Arena”, do të mbyllet disa ditë sepse tapeti ka nevojë për një fazë rikuperimi, për arsye se janë zhvilluar një sërë ndeshjesh.
Në këtë kushte skuadrës së Kukësit i është dashur të bëj një zgjedhje tjetër. Këtë herë kuksianët do të “shtegtojnë” në Rrogozhinë, në stadiumin “Arena Egnatia”, ora 13:45.
Verilindorët shpresojnë se stadiumi i tyre të jetë gati në ndeshjen e radhës që skuadra e Kukësit do të jetë pritëse, dhe sipas gjitha gjasave ndeshja mes Kukësit dhe Tiranës mund të luhet në stadiumin “Zeqyr Ymeri” tashmë të rikonstruktuar.
F.A/abcnews.al