Falsifikoi kontratat me ish-drejtorin e ish-specialistin e Postës në Korçë, arrestohet i shpalluri në kërkim

schedule12:29 - 19 Tetor, 2021

schedule 12:29 - 19 Tetor, 2021

Është arrestuar 39-vjeçari i shpallur në kërkim nga policia e Korçës, pasi akuzohet për veprën penale​ “Falsifikimi i dokumenteve”.

Ky është vijimi i operacionit të koduar “Kontrata” ku tre muaj më parë është arrestuar ish-drejtori i Postës Shqiptare në Korçë, Valter Gora nën akuzën për shpërdorim detyre si dhe ish-specialisti i sigurisë pranë Postës Korçë, Albano Bibo.

Sipas policisë, Gora dhe Bibo kanë falsifikuar kontratat e qiramarrjes për ambientet që do të përdoreshin nga Posta Shqiptare në Korçë, Maliq dhe Pogradec.

Në datën 6 korrik, Gjykata e Korçës ka marrë vendimin e arrestit me burg për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi dokumentesh” për ish-drejtorin dhe ish-specialistin e  sigurisë, ndërsa hetimi ka nisur që prej muajit tetorit të vitit të kaluar.

Njoftimi i policisë:

Vijon operacioni i koduar “Kontrata”, i finalizuar 3 muaj më parë, për goditjen e veprimtarisë kriminale ne fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.

Vihet në pranga 39-vjeçari, i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim S. M., 39 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 06.07.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në​ burg” për veprën penale​ “Falsifikimi i dokumenteve”, në lidhje me ngjarjen e datës 14.07.2021, ku u finalizua operacioni “Kontrata”, si rezultat i të cilit u ndalua ish-drejtori dhe një punonjës i Postës Korçë dhe u morën masa shtrënguese ndaj disa punonjësve të tjerë.

Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët referuan materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë. /abcnews.al/