Kreu i shtetit, Ilir Meta, ka deklaruar nga Pogradeci se duhet gjetur një mënyrë për të realizuar Vettingun në politikë. Sipas tij është një domosdoshmëri për vendin. Ndërsa aprovoi vendimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare për dëbimin e ambasadorit iranian në Tiranë.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, Vettingun në politikë e konsideron të domosdoshëm dhe kërkon që të gjendet mënyra për ta realizuar. E gjithë kjo sipas kreut të shtetit bëhet për të larguar politikën nga krimi.
“Reforma në drejtësi duhet bërë seriozisht, Kushtetuta duhet respektuar seriozisht dhe Vettingu është i domosdoshëm dhe duhet gjetur mënyra për realizimin e tij në mënyrë që të kemi ndarje të qartë të politikës nga aktivitetet kriminale”, tha Meta.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me dëbimin e ambasadorit iranian ai u shpreh në mbështjetje të plotë me reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare.
“Për këtë çështje jam tërësisht aprovues ndaj reagimit të Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme”, u shpreh Meta.
Meta foli edhe për protestat e studentëve. Sipas tij kërkesat e tyre duhet të marrin zgjidhje pasi janë legjitime. Të rinjtë duhet t’u kthehen sa më shpejtë auditorëve, tha Presidenti Meta./abcnews.al