Korçë/ U përfshi në sherr dhe përdori armën jashtë shërbimit, nis hetimi për policin

schedule12:09 - 10 Tetor, 2021

schedule 12:09 - 10 Tetor, 2021

Efektivi i policisë Emanuel Jaupi është vënë nën hetim pasi rezulton të jetë përfshirë në sherrin e ndodhur mes një grupi të rinjsh një ditë më parë në Korçë.

Sipas njoftimit të Shërbimeve për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, efektivi me detyrë punonjës policie pranë Komisariatit Korçë, dyshohet se ai ka nxjerrë armën e shërbimit për të mbrojtur një prej dy të rinjve të përfshirë në një sherr me mjete të forta në fshatin Vranisht.

Sipas policisë efektivi 21 vjeçar nuk është prezantuar si polic dhe nuk e ka raportuar ngjarjen. Gjithashtu gjatë kohës që ndodhi sherri Jaupi nuk ishte në orarin e punës. Polici është proceduar për veprën penale të “ Shpërdorimit të Detyrës”.

Njoftimi i policise:

Në vijim të informacionit paraprak datë 09.10.2021, i cili bën fjalë për një konflikt të ndodhur në lagjen nr. 17, Korçë, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) filluan procedimin penal për veprën “Plagosja e lehtë me dashje”, për shtetasin A. K., 22 vjeç, banues në fshatin Vranisht, Devoll dhe për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” për shtetasin E. J., 21 vjeç, banues në Korçë (me detyrë punonjës policie pranë Komisariatit Korçë).

Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se shtetasi A. K., gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka dëmtuar me mjete të forta shtetasin E. Sh., 23 vjeç, banues në Korçë, i cili u dërgua në Spitalin e Traumës Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa punonjësi i policisë, E. J., duke qenë jashtë shërbimit, është përfshirë në këtë konflikt ku ka nxjerrë armën e shërbimit, pa u prezantuar si punonjës policie dhe gjithashtu nuk ka kryer raportimin e ngjarjes. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme./be.k//Abcnews.al