Në sallën e Kuvendit nuk kanë munguar edhe replikat në lidhje me propozimin e opozitës për Vettingun në politike. Sipas deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, Vettingu është urgjent për të shkëputur lidhjet e mazhorancës me krimin. Në replikë, deputetja socialiste Vasilika Hysi, tha se nisma e opozitës kërkon ta bëjë pis reformën në drejtësi.
Bylykbashi: “Komisioni i Venecias konfirmon gatishmërinë e tij që të vijë të na asistojë. Të na asistojë për të na përmbyllur ligjin. Por çfarë asistence mund të japi Komisioni i Venecias kur ju keni vendosur që ta rrëzoni. E vendosët në këshillin ë legjislacionit dhe e vendosët sot. Kush është halli juaj që ju vendosni Komisionin e Venecias që të asistojë këtë çështje. Kështu që thërritini mendjes, pranoni asistencën e Komisionit të Venecias, uluni në dialog konstruktiv me ne, miratoni disa amendamenteqë ti hapim rrugën ligjit për Vettingun e politikanëve. Të gjithë neve dhe të atyre të tjerëve që janë nëpër instuticione të tjera, ministrave që janë këtu pas meje. Ta bëjmë këtë ligj. Të mos guxojë njeri në të ardhmen që të thotë të pastrohen dhe të qërohen ata që janë sot në lidhje të papërshtatshme me krimin në mënyrë që ti hapet rruga studentëve që të kenë një jetë më të mirë. Përndryshe jua garantoj, nuk bëhet me ligj, por studentët do ta bëjnë Vettingun e politikanëve me forma krejt të tjera, nuk do e bëjnë me forma ligjore”.
Hysi: “Ajo që tha kolegu parafolës se kjo nismë nuk u mor me seriozitet, nuk qëndron. Gjithashtu më lejoni t’ju theksoj se delegacioni i Komisionit të Venecias në takimin e tij në Tiranë, ka pasur takime të shumta dhe ka dëgjuar të gjitha palët, por në përfundim të tij ka dhënë një raport përfundimtar që të gjithë e dini, është bërë publik në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias. Mendova se për herë të parë ky raport nuk do të lexohej ndryshe. Ndryshe nga mazhoranca dhe ndryshe nga opozita. Pse e them këtë? Sepse raporti është shumë i qartë pa ekuivok, duke iu përgjigjur një sërë pyetjesh të bëra qoftë nga opozita qoftë nga mazhoranca. Megjithatë, ajo që do të doja të theksoja se edhe përfaqësuesit dhe të gjithë aktorët që u dëgjuan në konsultimin publik, pavarsisht presionit dhe intimidimit shumë të madh që i bëhej qoftë edhe nga një anëtar i vetëm i opozitës që vinte në komision, dëshmuan qartë se kjo nismë nuk përmbush kriteret, nuk është e qartë dhe le shteg për arbitraritet dhe abuzime.”
Bylykbashi: “Tani mua më vinte turp, që më duhej të mbroja një amendament, i cili është një e keqe absolutisht e domosdoshme për këtë vend. T’ju pastrojmë ju sepse ju hapni portën e pushtetit publik kriminelëve e hapni sepse doni të qëndroni në pushtet pa fund. E hapni sepse doni ti mbani ata që të mos binden nesër në tehun e drejtësisë. Kërkoni imunitet, i jepni atyre imunitet. Nuk ka qenë ndryshe fjala ime atje me fjalën time këtusot. Sepse kaq e rëndë është situata, e dini vetë, e kemi parë me sytë tona. Prandaj keni vetëm një rrugë përpara se sa studentët ta bëjnë Vettingun ndryshe me të gjithë shqiptarët e tjerë për ju, pranoni dhe hapini rrugën këtyre amendamenteve sot, ligjit nesër me asistenët e Komisionit të Venecias dhe ta mbyllim këtë histori një herë e mirë sepse është një turp të cilin ju nuk do ta shlyeni dot për një kohë të gjatë, por të paktën të mos vazhdojmë më tutje. Votoni sot dhe mos e rrëzoni.”/abcnews.al