Jep dorëheqjen sekretari amerikan i mbrojtjes Matis. Ky fundit tha se nuk është dakord me presidentin Tramp për sa i përket linjës që duhet të ndjekë politika e jashtme. Por kreu i Shtëpisë së Bardhë këmbëngul se Matis ka dalë në pension dhe nuk ka dhënë dorëheqjen.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të përgjysmojnë praninë e trupave të tyre ushtarake në Afganistan. Sipas mediave amerikane lajmi është konfirmuar nga një zyrtar i departamentit amerikan të mbrojtjes, i cili theksoi se do të jenë 7 mijë ushtarët që do të kthehen në shtëpi. Vendimi për Afganistanin vjen menjëherë pas atij për tërheqjen nga Siria. Dy ndryshime të forta në politikë të jashtme që kanë detyruar sekretarin amerikan të mbrojtjes Xhim Matis të japë dorëheqjen pasi nuk është dakord me idetë e presidentit Trump.
Në letrën e tij të dorëheqjes, kreu i Pentagonit pranon përplasjet me kreun e Shtëpisë së Bardhë për sa i përket marrëdhënieve me aleatët dhe vë në dukje se Tramp meriton një sekretar mbrojtjeje që të ketë të njëjtat ide me të. Matis në fakt, javët e fundit, kishte dëshmuar ide të kundërta me presidentin amerikan Donald Tramp, duke filluar që nga vendosja e trupave ushtarake në kufirin me Meksikën e deri tek tërheqja nga Siria. Mediat amerikane shkruajnë se Matis ishte i painformuar për këtë vendim.
Mattis nuk është informuar as për vlerësimit të situatës për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Afganistani. Dalja nga skena e tij lë boshllëkun e rradhës brenda administratës amerikane duke provokuar kritika të reja për presidentin. Tramp në një mesazh në profilin e tij Tuiter shkruan se Maris ka dalë në pension dhe nuk pranon se ai ka dhënë dorëheqjen./abcnews.al

