Disa qindra studentë në Tetovë kanë dalë në protestë për të kërkuar reforma themelore në sistemin e arsimit të lartë. Të rinjtë kanë paraqitur 15 kërkesa për krerët e institucioneve, mes të cilave pavarësi akademike, transparencë dhe pjesëmarrje në vendimmarrje.
Qindra studentë por edhe nxënës të shkollave të mesme kanë filluar protestën në sheshin e Tetovës duke shpalosur 15 kërkesa, të adresuara MASH-it dhe drejtuesve të universiteteve në gjuhën shqipe. Protesta ishte inicuar përmes rrjeteve sociale nga të ashtuquajturat Lëvizja Studentore dhe Studentët e Revoltuar. Me pankarta dhe mbishkrime nga më të ndryshmet, studentët thonë se janë kundër korrupsionit dhe politizimit të arsimit sipëror.
Studentët e anketuar nga TV Klan Maqedoni thonë se protestojnë për përmirësimin e kushteve të studentëve, ndalimin e korrupsionit dhe se politika të jetë larg universiteteve.
Studentët protestën e vazhduan duke marshuar rrugëve të qytetit të Tetovës. Ndërkohë, në UT mësimi ka vazhduar sipas plan-programit të paraparë. Shumica e studentëve kanë refuzuar të prononcohen para kamerave.
Para objektit të UT-së studentët janë përballur me kordonin policor por nuk ka pasur kurrfarë fërkimesh. Protesta filloi dhe përfundoi pa ndonjë incident. Burime nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë thanë për tv Klan se e njëjta nuk ka qenë e paralajmëruar./abcnews.al