Greqi, vazhdon gjendja e jashtëzakonshme në Atikë, 16 të vdekur nga përmbytjet

schedule18:19 - 16 Nëntor, 2017

schedule 18:19 - 16 Nëntor, 2017

Në zonën perëndimore të Atikës vazhdojnë kërkimet për gjetjen e 4 personave të shpallur të zhdukur pas përmbytjeve tragjike. Ndërsa bilanci i viktimave ka shkuar në 16 të vdekur. Kryeministri Aleksis Tsipras ka vizituar rajonin e përmbytur.

Në zonën perëndimore të Atikës, më konkretisht në Nea Peramos dhe Mandra vazhdon situata emergjente për shkak të përmbytjeve të mëdha. Ndërsa bilanci i viktimave vazhdon të rëndohet. Një 50-vjeçar është gjetur i pajetë në bodrumin e banesës së tij, duke çuar në 16 numrin e të vdekurve nga përmbytjet e mëdha që erdhë pas shirave të rrëmbyer. Ministria e Shëndetësisë e Greqisë bëri me dije se 23 persona janë plagosur për shkak të motit të keq në këtë rajon të Athinës. Ata kanë marrë trajtimin e duhur në spitalin e zonës.

Por autoritetet i druhen një përkeqësimi të metëjshëm të bilancit tragjik, duke marë parasysh që dhe 4 persona janë shpallur të zhdukur nga familjarët e tyre. Për gjetjen e tyre vazhdojnë kërkimet nga ekipet e emergjencës civile, që janë të ndihmuar edhe nga shumë zjarrëfikës. Por puna e tyre pritet të vështirësohet pasi meteorologët kanë parashikuar se e gjithë zona do të përfshihet përsëri nga shira të dendur deri të dielën. Ndërkohë, mediat greke raportojnë se në total janë shpëtuar mbi 90 persona.

Gjithashtu ka nisur puna për pastrimin e banesave dhe biznesve të përmbytura. Ekipet zjarrëfikëse bëjnë me dije se në zonën perëndimore të Atikës kanë marrë mbi 680 telefonata për pompimin e ujit në vendbanime nëntokësore dhe dyqane. Në këtë rajon, me urdhër të qeverisë, është angazhuar edhe Asistenca e Forcave të Armatosura të Greqisë në Rimëkëmbjen nga Fatkeqësitë Natyrore. Nga ana tjetër autoritetet lokale kanë siguruar godina të mjaftueshme për të strehuar banorët të cilët nuk mund të qëndrojnë në banesën e tyre.

Pasi shpalli 3 ditë zie kombëtare, duke filluar nga e enjtja, kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka vizituar zonat e prekura nga përmbytjet tragjike. Gjatë qëndrimin në rajonin perëndimor të Atikës, ai shprehu mbështetjen e qeverisë për banorët e prekur nga fatkeqësia si dhe premtoi fillimin e matjeve të dëmve dhe dhënien e dëmshpërblimit. Tsipras, gjithashtu nënvizoi se hetimi i hapur lidhur me përmbytjet do të përcaktojë nëse në kjo tragjedi ka ardhur për shkak të fatkeqësisë natyrore apo nga ndonjë neglizhim i autoriteteve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!