“Pas zgjedhjeve më erdhi njeriu më i afërt i Bashës”, Berisha: Për çfarë më pyeti

schedule18:49 - 1 Tetor, 2021

schedule 18:49 - 1 Tetor, 2021

Sali Berisha përsëriti mbrëmjen e së premtes nga “Foltorja” e Shkodrës se Edi Rama nuk ishte fituesi i zgjedhjeve të 25 prillit, por sipas tij, fituese nuk ishte as PD. Ish-kryeministri u shpreh se nëse Edi Rama bëri historinë duke fituar një mandat të tretë, përgjegjësia madhore bie mbi PD dhe opozitën.

“Edi Rama nis mandatin e tretë sepse opozita shqiptare kaloi këto tetë vite nga dështimi në dështim. Dhe, nëse ai nis sot mandatin e tretë, përgjegjësi të padiskutueshme madhore bien mbi PD dhe opozitën shqiptare. Ajo nuk qe e zonja të fitojë në asnjë nismë përveç ligjit të dekriminalizmit.”

Kurse, duke u ndalur tek ndryshimet kushtetuese, lideri historik i demokratëve i bëri thirrje Lulzim Bashës që të heqë dorë nga marrëveshjet pa marrë miratimin paraprak nga Këshilli Kombëtar i Partisë.

“Keni dëgjuar këto kohë që po bëjë ndryshime kushtetuese, po më thoni nga cila marrëveshje ka dalë PD fituese. Të gjitha i ka fituar Edi Rama. Edhe unë dua t’u them zotërinjve, hiqi dorë nga marrëveshjet pa miratim paraprak nga Këshilli Kombëtar i PD. Asnjë hap nuk mund të bëni.  PD ka forume politike, nga marrëveshja në marrëveshje, kemi shkuar nga turpi në turp, nga disfata në disfatë…Numëruam për herë të parë në historinë e vendit mandatin e tretë të Ramës. Çfarë ndodhi? Ish-kryetari i PD doli e foli për masakër zgjedhore, personalisht ua them me bindje të thellë Edi Rama abuzoi me votën më shumë se kurrë në 30 vite, por e them me bindje të thellë, zgjedhjet nuk i fitoi PD.”

Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve, Berisha tregon se u kërkoi demokratëve që të mos fokusonin fushatën te kryetari pasi ai “është lider i thyer”, por të përqendroheshin tek partia.

Dhe, pas zgjedhjeve kur sondazhet tregonin se vetëm 19 për qind e atyre që kishin votuar për PD kishin votuar Bashën, ish-kryeministri tregon se i erdhi njeriu më i afërt i kryetarit dhe e pyeti për rezultatet.

“Në darkë e 25 prillit dolën sondazhet, çfarë tregonin, vetëm 19 për qind e atyre që kishin votuar për PD kishin votuar Bashën. Të nesërmen më erdhi njeriu i tij më i afërt .. Më tha çfarë thua? Me këtë, i thashë po ta them: I tregova videon në të cilën dilte se vetëm 19 për qind e votuese kanë votuar për kryetarin…” /abcews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!