“Protesta ka qenë një proces dhe mësim i jashtëzakonshëm demokracie. Vendimet janë marrë bashkarisht me të gjithë studentët e ngleur në shesh. Rezistenca do të vazhdojë deri sa kauza jonë të marrë zgjidhje”.
Kështu janë shprehur studentët për ABC News, të cilët theksuan se nuk ka përçarje mes tyre. Studentët e Universiteteve publike po protestojnë para Kryeministrisë dhe para Ministrisë së Arsimit.
Disa studentë janë shprehur se qëndrimi jashtë në të ftohtë tregon se protesta e tyre është shumë serioze.
“Ne duam t’i tregojmë se e kemi seriozisht dhe nuk do lekëundemi deri sa të na njohë kërkesat dhe të na i plotësojë ato. Edhe pse këtu jemi shumë nga pas kemi edhe më shumë ”.
Ato janë shprehur se kanë pasur mbështetjen nga ish- studentë dhe prindër.
Kryeministri Rama përsëriti sërish thirrjen për studentët për dialog lidhur me 8 kërkesat e tyre. Studentët protestues shprehen kundër dialogut për 8 pikat, por duan vetëm miratimin e tyre nga qeveria.
Ata janë të vendosur të mos tërhiqen nga protesta, deri sa qeveria të miratojë 8 kërkesat e tyre. Protestës së studentëve i janë bashkuar gjimnazistë, qytetarë dhe studentë të tjerë nga rrethet
Studentët e Universiteteve publike kërkojnë rritjen e buxhetit në 5% të GDP me qëllim mundësinë e përgjysmimit të tarifës dhe transparencë për buxhetin nga Ministria e Arsimit.
Ata kërkojnë rritjen nga 10% deri në 50% të votës së tyre për të zgjedhur dekanët dhe rektorët, si edhe rishikim të titujve akademik dhe verifikim i plagjaturave të doktoraturave.
Studentët kërkojnë që të shtohet në bordin e administrimit një përfaqësi e tyre, ndërsa kërkojnë pajisjen me kartë studenti brenda vitit akademik 2018-2019.
Studentët e Universiteteve publike kërkojnë gjithashtu ndërtimin e bibliotekave me standarde europiane dhe vlerësimin e performancës në mësimdhënie dhe kërkimin shkencor të pedagogut. /abcnews.al



