Pasditja e të martës i ka gjetur studentët të ndarë në tre vende protestë. Një pjesë ka qëndruar tek ministria e arsimit, një tjetër bllokoi lëvizjen tek Zogu i Zi, ndërsa një grup i tretë studentësh e zhvendosi protestën para Kryeministrisë. Por nëse janë të ndarë për vendin e protestës, ata duken të bashkuar në qëndrimin për të mos u kthyer në auditore, pa u plotësuar 8 kërkesat e tyre.
Ora 16.00 e të martës i ka gjetur të papërgatitur studentët që protestojnë prej 7 ditësh para Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar përmbushjen e 8 kërkesave të njohura nga qeveria. Me skadimin e afatit që vetë kishin vendosur, studentët nuk kanë arritur të dakordësohen mbi hapat e mëtejshëm të protestës së tyre. Çarjet midis rrymave të ndryshme brenda tyre u materializuan me tre grupime. Një grup studentësh shkoi tek Zogu i Zi, duke bllokuar njërën prej arterieve kryesore të hyrjes në kryeqytet, gjë që ka sjellë një trafik të rënduar në rrugët e Tiranës.
“Duke ndenjur këtu, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës sonë do ishtë një mënyrë për të zgjidhur çështjen. Ne jemi më të bashkuar se kurrë, ne jemi ndarë në 3 vende të ndryshme se kjo duhet të jetë më shqetësuese për zotin Kryeministër. Ne zgjodhëm këtë mënyrë duke dalë në mënyrë demokratike duke bllokuar qëndrat që ka më shumë fluks të njerëzve”.
Një tjetër grup qëndroi para Ministrisë së Arsimit, duke thënë se protesta do vijojë aty deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Këtu pati edhe qytetarë të pakënaqur për bllokimin e trafikut.
“Kam një orë e gjys nga ora 5, çfarë jam unë armik që bllokohet rruga. Pasagjerët zbritën poshtë”.
Por një tjetër grup studentësh iu drejtua kryeministrisë. Në shenjë proteste për mospërmbushjen e kërkesave të tyre, ata thone se do te kalojne naten duke lexuar libra. I bënë thirrje edhe qytetarëve qe t’i bashkohen lëvizjes së tyre.
“Nuk mendoj që ndarja erdhi nga brenda studentëve, studentët janë më të bashkuar dhe kjo gjë do të tregohet dhe nesër. U paralajmërua një përshkallëzim i protestës se bllokimi i rrugës sjell përshkallëzim, nesër do jemi prapë këtu. Nuk morëm asnjë përgjigje”.
Në orët e vona të mbrëmjes të së martës, një pjesë e studentëve deklaruan se e mërkura do i gjejë para Ministrisë së arsimit, ndërsa të tjerë se do jenë para Kryeministrisë. Nëse janë të ndarë për vendin se ku do protestojnë, çka i bashkon është vendosmëria për të mos u kthyer nëpër auditore pa u plotësuar 8 kërkesat e tyre të njohura. /abcnews.al