Ish-kryeministri Sali Berisha sapo ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë ku do të fillojë pas pak edhe seanca e radhës plenare. Po ashtu, drejt Parlamentit ishte nisur edhe lideri i demokratëve Lulzim Basha bashkë me deputetët e PD.
Ndërkohë, më herët u bë e ditur se opozita do të ketë tre grupe parlamentare në këtë legjislaturë të Kuvendit të Shqipërisë. Gazetari i “ABC”, Juxhin Mustafaraj mëson se përpos PD-së grup parlamentar do të kenë edhe Partia Republikane e Fatmir Mediut dhe PDIU, e drejtuar nga Shpëtim Idrizi.
Për të formuar një grup parlamentar një forcë politike duhet të ketë shtatë deputetë. Dy aleatët e PD-së nuk e kanë numrin magjik dhe për të plotësuar kushtin Lulzim Basha ka pranuar që t’u japë “borxh” deputetë PR-së dhe PDIU-së.
Lëvizja Socialiste për Integrim e drejtuar nga Monika Kryemadhi nuk arriti që të formonte grup, pasi mori vetëm 4 deputetë në 25 prill.
Kujtojmë se lideri historik i PD, Sali Berisha u përjashtua nga kreu i demokratëve Lulzim Basha prej Grupit Parlamentar të Partisë pas thirrjeve të bëra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /abcnews.al/