Kosova me masa të reja kundër pandemisë pas 13 shtatorit

schedule17:44 - 10 Shtator, 2021

schedule 17:44 - 10 Shtator, 2021

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia ka diskutuar me kryetarët e komunave për masat e reja që pritet të merren për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Qeveria e Kosovës pritet të marrë masa të reja ndaj pandemisë që do të hyjnë në fuqi pas datës 13 shtator. Sipas një komunikate të Asociacionit të Komunave të Kosovës ministria Vitia ka thënë se masat që pritet të merren janë këto:

Mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar nuk fillon para datës 26 shtator.
Lejohen takimet vetëm deri në 20 persona duke mbajtur distancën fizike 1.5 metra.
Institucionet publike punojnë vetëm me staf esencial.
Gastronomia vazhdon të punojë deri në ora 21:30 vetëm në hapësira të jashtme.
Në pikat kufitare nga 13 shtatori personat mbi moshën 16-vjeç janë të obliguar të paraqesin certifikatën e vaksinimit.
Qendrat dhe institucionet e kulturës pezullojnë aktivitetet deri më 26 shtator.

Situata epidemiologjike në Kosovë është përkeqësuar që nga fundi i muajit korrik dhe fillimi i gushtit. Në Kosovë të premten janë regjistruar edhe 30 viktima nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19. Më 30 gusht Qeveria e Kosovës fuqizoi masat kundër pandemisë, duke përfshirë edhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të premten se numri i vaksinave të dhëna në Kosovë ka arritur në një milion.

Me të dyja dozat e vaksinës, deri të premten në mesditë, janë vaksinuar 351,475 qytetarë të Kosovës.

Infektologu Xhevat Demiri i tha Radios Evropa e Lirë se situata me pandeminë është shumë e rëndë dhe kërkohet një vetëdijesim i qytetarëve për respektim të masave kundër COVID-19 dhe për vaksinim kundër kësaj sëmundjeje.

“Pasojë e kësaj situate të rëndë me pandeminë është në radhë të parë mosrespektimi i masave kundër COVID-19. Çdo ditë e më shumë kemi grumbullime që rrezikojnë situatën. Vaksinimi është i ulët. Por, është edhe një faktor tjetër që një pjesë e popullsisë vazhdon të mos besojë që ka virus”, thotë ai. /REL