Bie numri i të hospitalizuarve nga COVID-19 në Kosovë

schedule14:31 - 8 Shtator, 2021

schedule 14:31 - 8 Shtator, 2021

Autoritetet shëndetësore në Kosovës thanë të mërkurën (8 shtator) se ka filluar të bie numri i të hospitalizuarve me COVID-19.

Sipas raportit ditor të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës thuhet se janë regjistruar 54 pacientë më pak të shtrirë në klinika. Të martën ishin raportuar 1.174 pacientë, ndërsa të mërkurën ky numër është 1.120.

“Prej tyre, 986 janë të konfirmuar me COVID-19, 957 janë me oksigjeno-terapi dhe 78 në kujdesin intensiv”, thuhet në njoftim.

Situata epidemiologjike në Kosovë ka filluar të përkeqësohet në fund të muajit korrik dhe në fillim të gushtit.

Çdo ditë raportohet për numër të lartë të viktimave dhe të të infektuarve. Të martën u raportua edhe për 28 viktima nga koronavirusi dhe 920 raste të të infektuarve.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën tha se situata epidemiologjike në Kosovë është e brishtë, prandaj, bazuar në këtë situatë, nuk pret që masat kundër COVID-19 të lehtësohen pas datës 13 shtator, deri kur janë në fuqi masat e reja. Ai tha se për masat do të diskutohet gjatë takimit të së mërkurës të komitetit për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!