Rama po “pikturon” ekipin, parlamenti mblidhet pas 9 shtatorit

schedule18:24 - 23 Gusht, 2021

schedule 18:24 - 23 Gusht, 2021

Nga Esiona Konomi

Parlamenti i zgjedhur në 25 prill nuk mund të fillojë nga puna përpara 8 shtatorit. Pas kësaj date, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka 10 ditë afat për thirrur mbledhjen e parë të Kuvendit të ri. E nëse kreu i shtetit nuk e bën një gjë të tillë, Parlamenti i ri vetëmblidhet në 19 shtator, seancë në të cilën zgjedh vetëm kryetarin e tij.

Pas kësaj mbledhjeje hapëse, Presidenti Meta duhet ta mandatojë Edi Ramën të formojë qeverinë e re dhe t’i paraqesë emrat e ekipit. Kjo është hera e tretë që kreu i selisë rozë do të bëhet gati për një provë të tillë, si përpara publikut, ashtu edhe përpara Presidentit me të cilin, marrëdhëniet janë të komplikuara.

Ndërkohë në Partinë Socialiste kanë nisur përgatitjet për thirrje e Asamblesë Kombëtare, përpara së cilës, Edi Rama do të shpallë kabinetin  e tij të tretë. Nuk ka një datë të përcaktuar për këtë mbledhje, por mësohet se struktura qeverisëse do të ndryshojë. Gjithësesi, numri i ministrive dhe emrat e ministrave janë ekskluzivitet i kreut të partisë.

Pasi ta shpallë në publik ekipin e tij, Edi Rama do të përballet me Ilir Metën, të cilit do t’i kërkojë dekretimin e qeverisë. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese i dha presidentit disa kompetenca më të qarta, për pranimin ose mos dekretimin e ministrave, duke e vënë Edi Ramën përpara një sfide më të fortë, për të zgjedhur emra ministrash, për të cilët Ilir Meta të mos ketë hapësira t’ia refuzojë. /abcnews.al