Partizani në eufori pas ndeshjes

schedule22:55 - 30 Nëntor, 2018

schedule 22:55 - 30 Nëntor, 2018

Partizani mposhti Tiranën me shifrat 2-1 dhe optimizmi është i madh tek të kuqtë. Trajneri Gega shpjegoi vendimin për Alban Hoxhën.

Skuadra e Partizanit fitoi me përmbysje derbin ndaj Tiranës duke treguar dhe një herë se janë një kockë e fortë për bardheblutë. Lumturia është e madhe te skuadra e Partizanit, përfshi këtu edhe presidentin Gazmend Demi. Pas ndeshjes ai tha që skuadra ka shpirt gare dhe reagoi mirë pas golit të parë.

“Mendoj që karakterin Partizani gjithmonë e ka dhe këtë ehrë e tregoi karakterin e vet”, tha ai.

Prononcim për mediat dha edhe drejtori i përgjithshëm, OlsI Rama. Ai tha se Partizani po ndërton bazën e së ardhmes.

“Kjo tregoi atë që kemi djem që po krijojnë një grup të mrekullueshëm që kanë karakter, që japin çdo gjë në fushën e lojës dhe arrijnë e kthejnë një ndeshje specifike siç është derbi. Mendoj se e merituam plotësisht fitoren. Kemi një organikë që ka potencial që akoma nuk e ka treguar. Nuk gjykoj episodet e lojës, ia fal arbitrit penalltinë pa asnjë problem sepse gjykoj që janë elemente të lojës që edhe gabojmë pavarësisht se ishte shumë e qartë dhe evidente që nga tribuna jonë se çfarë ishte”, tha Rama.

Trajneri i partizanit Skënder Gega përgëzon Tiranën për lojën, por nuk e fshehu lumturinë për derbin e parë të fituar prej tij si trajner.

Derbi ka qenë gjithmonë derbi. Tre pikëshi është trepikësh, mënyra sesi erdhi e shijova qe plot emocione. Edhe për meritë të ekipit të Tiranës, besoj se pati një performancë dhe e përgëzoj. Besoj që treguam karakterin dhe në fund e arritëm. Hebaj asnjëherë nuk e kam hequr besimin te ai. Është pjesë e projektit dhe asnjëherë nuk e kam hequr as besimin. Çdo ditë po rritet. Ka ditë që reflekton më mirë. Sot qe një ditë që desh zoti dhe jam i lumtur që e kurorëzoi me dy gola. Në konferencë e theksova do kisha dëshirë që Hoxha të ishte 100% dhe ditën që është kthyer në seancë stërvitore e kisha në dilemë. Duke u konsultur me fizioterapistin dhe trajnerin e portjerëve”, tha Gega.

Në fund heroi i takimit, Rubin Hebaj, tregon emocionet e dy golëshit dhe hedh dritë mbi raportet e tij me trajnerin Gega.

“Nuk e prisja që të hyja. Ishte një ndeshje e luftuar nga të dyja palët. Goli bëri që trajneri të ndryshonte taktikë. U futa në lojë, shfrytëzova dy rastet që m’u dhanë dhe jam shumë i gëzuar. Shpresoj që të jem ai bomberi i Partizanit dhe të shënoj shumë gola. Nuk kam asnjë problem me trajnerin. Ai ka zgjedhjet e veta dhe nuk më takon mua ta gjykoj në këtë pjesë, por përderisa të më jepet rasti do mundohem të jap maksimumin”, u shpreh protagonisti i derbit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!