Zjarret në vend, Policia e Shtetit: Që nga 25 korriku janë arrestuar 15 persona

schedule13:14 - 10 Gusht, 2021

schedule 13:14 - 10 Gusht, 2021

Policia e Shtetit ka dalë në një deklaratë për mediat rreth situatës së zjarreve në vend.  Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Ylli Vasili bëri të ditur se që nga 25 korriku e deri më tani, për zjarrvënie të qëllimshme janë vënë në pranga 15 persona. Po ashtu, njoftohet se 16 persona janë proceduar në gjendje të lirë, kurse dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Më konkretisht, nga DVP Vlorë janë arrestuar 7 persona, pasi kanë djegur sipërfaqe të ndryshme toke në fshatin Tragjas, në fshatin Gjorm, në Karaburun, Delisuf, Radhimë dhe në Sarandë, ndërsa 1 qytetar është shpallur në kërkim pasi ka djegur dy sipërfaqe me ullinj në fshatin Gjorm.

Në Himarë janë proceduar penalisht 2 persona, pasi kanë djegur sipërfaqe të pyllëzuara në fshatin Pilur dhe në fshatin Fterr.

Nga DVP Fier janë arrestuar 4 persona dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 të tjerë, konkretisht 2 janë arrestuar për zjarrin e vënë në pyllin e fshatit Gjorgoz dhe në pyllin e fshatit Kreshpan, 1 shtetas është arrestuar një shtetas për zjarrin e shkaktuar në tokat në Fermë Çlirim, 1 persona është arrestuar për zjarrin e shkaktuar në pyllin e fshatit Corrush, Mallkastër, 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë për zjarrin e shkaktuar në Mbrostar Ferko dhe 2 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë në Lushnjë, për zjarret e shkaktuara në kodrat e fshatit Karbunarë.

Nga DVP Kukës është arrestuar një persom për zjarrvënie në Malin e Gjallicës.

Nga DVP Lezhë është arrestuar 1 qytetar në Mirditë, për djegien e pyllit dhe një sipërfaqeje me pemë frutore në fshatin Simon, Mirditë, janë proceduar 2 persona në Lezhë, pasi kanë djegur një sipërfaqe me ullinj dhe pyllin e fshatit Mabë, Lezhë, si dhe 1 tjetër është proceduar në Kurbin, për djegien e një sipërfaqe kullote, ullinjve dhe pyllit në fshatin Zhejë, Kurbin.

Nga DVP Durrës është arrestuar 1 person dhe është proceduar penalisht një tjetër pasi kanë vënë zjarr në sipërfaqe toke, në lagjen nr. 15, Durrës dhe në fshatin Shetaj, Ishëm.

Nga DVP Korçë është proceduar penalisht 1 person për zjarrvënie, pasi ka djegur një sipërfaqe pyjore prej 3 dynymë, në fshatin Baçallëk, Pogradec.

Nga DVP Elbasan është arrestuar 1 qytetar, 1 është proceduar penalisht, si dhe 1 është shpallur në kërkim, konkretisht: është arrestuar 1 shtetas në Belsh, pasi ka djegur një sipërfaqe me ullinj në fshatin Dëshiran, Belsh, 1 është proceduar në gjendje të lirë pasi ka djegur një sipërfaqe me ullinj në fshatin Gradisht, Belsh dhe 1 shtetas tjetër është shpallur në kërkim pasi ka djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme në fshatin Xhyrë, Librazhd.

Nga DVP Gjirokastër janë proceduar 5 persona për zjarrvënie, 1 për djegien e një sipërfaqe me vreshta në fshatin Valare, 3 për djegien e pyjeve në Mashkullorë, Qesorat, Arshi Lengo në Gjirokastër dhe 1  i proceduar për zjarrin në Dropull (Llovinë).

Vasili theksoi se Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!