Pandemia ul me 20% numrin e “milionerëve të vegjël”, 39 mijë të dypunësuar paguan 3.7 milionë euro shtesë

schedule07:59 - 30 Korrik, 2021

schedule 07:59 - 30 Korrik, 2021

Janë gati 10 mijë individë ( 9,913) që kanë deklaruar të ardhura vjetore më shumë se 2 milionë lekë për vitin 2020.

Të dhënat bëhen të ditura nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në krahasim me vitin e mëparshëm, numri i personave që kanë deklaruar deri tani të ardhura më të larta se 2 milionë lekë në vit , (ose rreth 167 mijë lekë në muaj) është reduktuar me gati 20%. Një vit më parë, deklarimin e të ardhurave e kishin bërë 12.3 mijë persona. Tatimet pohojnë se edhe këtë vit, detyrimin për të deklaruar e kanë po rreth 12 mijë persona, por vetëm 9,913 persona e kanë plotësuar atë deri tani. Afati i fundit i deklarimit këtë vit ishte 30 qershori.

Deri në 2019-n, numri I individëve që deklaruan të ardhurat personale mbi 2 milionë lekë erdhi në rritje të vazhdueshme dhe 2020-a është viti i parë kur u shënua një rënie e tyre. (shiko grafikun: Numri I individëve që deklaruan të ardhurat personale mbi 2 milionë lekë).

39 mijë të dy punësuar kanë deklaruar të ardhura për herë të parë, paguan 3.7 milionë euro shtesë

Këtë vit, për herë të parë kishin detyrimin e deklarimit të të ardhurave të 2020-s edhe të gjithë të dy punësuarit, pavarësisht nivelit të të ardhurave, si rrjedhojë e disa ndryshimeve ligjore për tatimin mbi të ardhurat, që hynë në fuqi në janar 2020 dhe u zbatuan për herë të parë për pagat e përfituara gjatë 2020-s. Këto ndryshime parashikojnë që paga, ndonëse është marrë në dy apo më shumë vende pune, do të llogaritet si një e vetme dhe do të tatohet si e tillë dhe individi do të jetë i detyruar që të paguajë diferencën shtesë që del nga rillogaritja.

Kjo solli automatikisht rritje të tatimit të të ardhurave për këtë kategori, pasi përjashtohen vetëm njëherë nga TAP zero deri në kufirin e 30 mijë lekëve dhe nëse të ardhurat e dy pagave i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, do të tatohen për diferencën me 23% (duke zbritur tatimin e paguar gjatë vitit).

Tatimet bënë të ditur nga lista e dy punësuarve që duhet të deklaronin DIVA 2020, numri i deklaruesve është 38,983. Në total, pagesa me bankë për “Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave” (DIVA) nga lista e të dy punësuarve është rreth 460 milionë lekë, ose rreth 3.7 milionë euro.

Në total, sipas tatimeve, pagesa me bankë për DIVA 2020 është 913.1 milionë lekë, ose rreth 7.4 milionë euro. Një vit më parë, kjo pagesë ishte rreth 502 milionë lekë (4 milionë euro), sipas të dhënave nga raporti vjetor 2020. Rritja është rreth 82%, e ndikuar kryesisht nga futja e të punësuarve me të ardhura nën 2 milionë lekë në skemë.

Shifrat e deklarimeve

– Numri i deklaruesve DIVA periudha 2020 për momentin është 56,820 nga 57,734 që e kishin detyrim.

– Nga lista e të dy punësuarve që duhet të deklaronin DIVA 2020, numri i deklaruesve është 38,983.

– Nga lista e punonjësve me page bruto totale vjetore 2020 nga listë pagesa, numri i deklaruesve është 9,913.

Deklarata DIVA është me vetë deklarim. Pjesa tjetër e deklaruesve mund të jenë ato me të ardhura mbi 2 milionë lekë, jo vetëm nga listë pagesa.

Gjithashtu ka ende persona që vazhdojnë e plotësojnë deklaratën dhe për ketë shifrat mund të ndryshojnë sërish në të ardhmen.

Burimi: Tatimet

Pagesat

– Total pagesa me bankë DIVA 2020 është 913,100,321 lekë

-Total pagesa me bankë DIVA nga lista e të dy punësuarve është 460,095,85 lekë.

-Total pagesa me bankë DIVA nga lista e punonjësve me pagë bruto totale vjetore 2020 nga listë pagesa është 323,319,579 lekë.

Diferenca qe mbetet janë ata jashtë këtyre dy listave, normalisht futen tek ato me page mbi 2 mln lekë./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!