Kreu i misionit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, i pyetur nga gazetarët lidhur me situatën në të cilën ndodhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shprehur keqardhje lidhur me mungesën e dy antarëve të kësaj trupe.
Në një kohë kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjendet me 5 anëtarë nga 7 që parashikon Kodi Zgjedhor, një ditë pas shprehjes së ambasadorit të Bashkimit Europian për këtë çështje është pozicionuar edhe ai i misionit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Bochardt. I pyetur lidhur me mungesën e dy antarëve të institucionit përgjegjës për përgatitjet e zgjedhjeve në vend, ambasadori u shpreh i keqardhur.
“Keni pasur dhe zgjedhje të mëparshme kur KQZ ka pasur katër anëtarë ndërsa tani keni pesë. Thënë kjo, është për t’u keqardhur që nuk janë të gjithë. Kjo do të thotë që nuk përdoren të gjitha mjetet kushtetuese dhe të së drejtës”, tha Bochardt.
Dy karriget e anëtarëve që zëvendësohen përmes propozimeve të opozitës kanë mbetur vakante për shkak të bojkotit parlamentar të demokratëve, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë zëvendësoi dy të tjerët mandati i të cilëve përfundoi në tetor. Momentalisht KQZ ka vetëm 5 antarë, 4 prej të cilëve de facto i përkasin Partisë Socialiste./abcnews.al