Detyrimet që vijnë nga projektet mes Partneritetit Publik Privat, sipas ekonomistëve duhet të reflektohen në buxhet. Selami Xhepa mendon se në një periudhë afatgjatë ato mund të bëhen pengesë për zhvillimin e vendit.
Me një lojë me hile i ngjason ekonomistëve strategjia e qeverisë për të reduktuar borxhin publik pa njohur në buxhet detyrimet që vijnë nga projektet mes Partneritetit Publik Privat. Selami Xhepa mendon se vakumin që krijon në ekonomi përmbushja e detyrimit për të ulur borxhin nën 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, qeveria po tenton ta mbushë me kontratat koncesionare.
“Nga një anë duket sikur kemi një përmirësim të borxhit publik, por në fakt në financat publike do të ketë përkeqësim. 2.2 miliardë euro për t’u koncesionuar do të bëjnë barrë për buxhetin. Jo vetëm që nuk i shërbejnë qëllimi të ligjit për reduktimin e borxhit, por po krijojmë një problem pa precedent. Vendet e tjera kanë treguar se shuma është më e madhe nga projektimi, kosto në financat publike do të krijojë ngërç serioz. Çdo borxh i kontraktuar duhet të reflektohet në shifrën e principalit në momentin e regjistrimit”.
Ndërkohë eksperti i ekonomisë mendon se konsolidimi financiar duhet të orientohet drejt të ardhurave pasi mbetemi vendi me nivelin më të ulët të mbledhjes së tyre në rajon dhe të mos prekë programet sociale dhe ato të zhvillimit të vendit. Ndërkohë sipas Xhepës, qeveria po ndjek tjetër trajektore.
“Nëse shohim indikatorët thelbësorë janë në renie. Të ardhurat nën 28% e Prodhimit Brendshëm Kombëtar, shpenzimet publike nga rreth 30% pritet të bien 28% të PPB. Angazhimi i qeverisë në shoqëri do të jetë më i vogël. Investimet në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale kanë një rënie në kuptimin nominal, por dhe relativ.”
Xhepa mbështet nxitjen e konsumit përmes politikave të rritjes së pagave dhe në këtë këndvështrim përkrah qëndrimin e qeverisë ndonëse mendon se vjen e sforcuar.
“Ka pesë vite që nuk bëhet. Është pozitive, vjen pak e sforcuar në buxhet, shpresoj mos jetë elektorale”.
Për vitin që vjen qeveria ka parashikuar rritje pensionesh dhe pagash në sistemin shëndetësor dhe atë arsimor./abcnews.al