Papa pret pelegrinët shqiptarë, Ati i Shenjtë “ngre në qiell” Skënderbeun

schedule19:06 - 19 Nëntor, 2018

schedule 19:06 - 19 Nëntor, 2018

Në pritjen e pelegrinëve shqiptarë të mbërritur në Vatikan për 550-vjetorin e Skënderbeut, Papa Françesku ka përkujtuar me superlativa heroin kombëtar shqiptar, duke e cilësuar hero të vlerave shpirtërore dhe shpëtimtar të krishtërimit.

Shqipëria, një tokë antike dhe me një histori të lavdishme, është pjesë integrale e Europës dhe përmes traditave të saj më fisnike dokumenton origjinën e qytetërimit të saj. Me këto fjalë ati i shenjtë Papa Françesku ka përshëndetur delegacionin e pelegrinëve të mbërritur në Romë nga Shqipëria, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Sot përkujtojmë heroin Gjergj Kastrioti Skënderbeu, bir i një populli të fortë dhe bujar që ka mbrojtur me kurajë vlerat shpirtërore dhe krishtërimin, deri në atë pikë sa meritoi titullin Athleta Kristi”, ka deklaruar Papa.

Ati i shenjtë ka vlerësuar se, me gjestet e tij Skënderbeu i dha jetë identitetit kulturor shqiptar, duke u kthyer në një simbol të padiskutueshëm kohezioni dhe uniteti kombëtar.

“Ai ishte gjithashtu personi që ktheu në fakte vlerat e besnikërisë, duke çuar deri në fund zotimet e marra përsipër”, ka vijuar Papa Françesku.

Gjatë takimit, kreu i Kishës Katolike ka kujtuar para të pranishëmve faktin se gjatë epokës së Perandorisë Otomane, Skënderbeu ka patur marrëdhënie me 5 papa: Eugjenin e Katërt, Nikolonë e Pestë, Kaliston e Tretë, Pion e Dytë dhe Palin e Dytë. Dëshmi e kësaj është se edhe në ditët e sotme, në një pallat pranë selisë presidenciale të Italisë ndodhet një afresk që portretizon heroin shqiptar.

“Pak herë në histori një individ i vetëm ka mishëruar në mënyrë kaq të qartë dhe në masë kaq të madhe virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë të kuptosh shpirtin e tij pa u fokusuar tek parimet dhe vlerat që mishëruan këtë personazh unik”, ka thënë Papa. Pritja e Papa Françeskut ka qenë në kuadër të koncertit të organizuar nga ambasada shqiptare në Vatikan, me rastin e vitit ndërkombëtar të Skënderbeut. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!