11 shoferë kanë rënë në prangat e policisë Rrugore për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, ndërsa ka pezulluar 50 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Policia bën me dije se në kuadër të masave të sigurisë në rrugë ka gjobitur 1804 drejtues për shkelje të Kodit Rrugor, që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Njoftimi i plotë:
Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor që të arrini në destinacion? të sigurt dhe me patentë në xhep.
Mos fluturoni në rrugë për të arritur sa më parë detin, se në rastin më të mirë do arrini radarin dhe policin rrugor dhe në rastin më të keq aksidentin.
Në çdo aks rrugor në të gjithë vendin ka patrulla të Policisë Rrugore me ????, për një qëllim: sigurinë e jetës!
24 orët e fundit: 11 shtetas në pranga, për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, 50 leje drejtimi të pezulluara për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit si dhe 1804 masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor, që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, Njësia për Sigurinë e Autostradave, Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë dhe Sektorët e Policisë Rrugore në DVP-të, kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore dhe qendrat e banuara, por edhe në akset kryesore rurale, duke përdorur dronë, radarë, kamera, aparate fotografike dhe makina të paloguara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.
Gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve dhe denoncimeve në Komisariatin Dixhital e në numrin pa pagesë 112, janë ndëshkuar me masë administrative 1804 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, si parakalime e manovra të rrezikshme në rrugë, shpejtësi tej normave të lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit apo kaskës mbrojtëse, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo pa leje drejtimi.
Gjithashtu janë vënë në pranga 11 shtetas, nga këta 6 për drejtim mjetin në gjendje të dehur dhe 5 të tjerë për drejtim mjeti pa leje drejtimi, si dhe janë pezulluar 50 leje drejtimi, nga të cilat 35 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara, që varionte deri në 182 km/h në rrugën interurbane Fier-Vlorë, dhe 15 leje drejtimi për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Policia Rrugore, apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.