Vettingu në politikë, sprova e re mes opozitës e mazhorancës

schedule15:14 - 19 Nëntor, 2018

schedule 15:14 - 19 Nëntor, 2018

Propozimet e Partisë Demokratike për ndryshime në Kushtetutë, të cilat sipas saj pastrojnë politikën nga zrtarët e korruptuar, u bënë në fillim të muajit shtator. Nëpërmjet amendamenteve kushtetuese, opozita kërkoi përjashtimin nga e drejta për t’u zgjedhur të shtetasve, që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Sipas propozimeve të opozitës sitës së vettingut duhet ti nënshtrohen deputetët, kryetarët e bashkive, kryeministri dhe ministrat, si dhe gjithë drejtuesit e institucioneve kushtetuese, që emërohen me detyrë nga parlamenti. Propozimi për të bërë Vetting për politikanët nuk ka nevojë për zgjatje dore, thirrje për ulje në tryezë deklaroi kryetari i Partisë Demokratike në shtator pasi e vetmja rrugë sipas tij është ajo e votimit në parlament nga të gjithë deputetët.

“I njëjti definicion vetëm zëvendësoni fjalën gjyqtar dhe politikan me fjalën politikan.Vettingu i politikanëve nuk ka asnjë lidhje me vettingun në drejtësi, as me hetimet që do të bëhen nga Byroja e Hetimit dhe SPAK. SPAK-u dhe Byroja e Hetimit kanë mandat hetimin e politikanëve të korruptuar, hetimin e krimit të organizuar. Vettingu i nxjerr nga institucionet. SPAK dhe BKH i cojnë në burg”, ka thënë Basha.

Nga krahu tjetër politik mori një po me kushte.

“Unë, Presidenti i Republikës, kryetari i opozitës, kunati i kryetarit të opozitës, gruaja e tij, rrethi familjar, vjehrri, , kryeministrat e mëparshëm, fëmijët e tyre. Patjetër! Ku udhëtojnë? Çfarë shpenzojnë? Sa rrinë jashtë shtetit? Jam gati. Shyqyr që u katandis Luli ta bëjë këtë punë”, tha Rama.

Ai që qartësoi qëndrimin e shumicës ishte kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla,

“Vetëm SPAK dhe BKH mund të vetojnë politikanët Lulëzim. Për mua ti Lulzim në veting, nuk kalon kurrë me sa ke mbi supe, ti dhe Saliu. S’mund ta bëj unë vetingun tim, tëndin, të Metës e Ramës, mund ta bëjë vetëm SPAK E BKH”.

Debatet se cili dhe si duhet bërë Vettingu i politikanëve vazhduan gjatë deri sa në Tetor kryetari i Kuvendit vendos t’i drejtohet Komisionit të Venecias me 8 pyetje lidhur me propozimin e demokratëve për ndryshimet kushtetuese.

Në letrën e zbardhur nga ABC News kreu i Kuvendit mes të tjerash kërkon të dijë nga Venecia nëse këto ndryshime ndërhyjnë apo mbivendosnin punën e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Njësisë Speciale Antikorrupsion, organe këto të parashikuara nga reforma në drejtësi e vitit 2016, që ende nuk janë ngritur, apo edhe vetë ligjin e dekriminalizimit. Njëkohësisht kreu i Kuvendit i ka kërkuar Komisionit të Venecias informacion mbi standardet dhe praktikat ndërkombëtare të procesit të rivlerësimit të politikanëve.

Një ditë para vizitës së delegacionit të komisionit të venecias në Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike shprehet se më kot janë munduar pasi Vettingu në politikë nuk është as më shumë e as më pak si ai për gjyqtarët e prokurorët. Pavarësisht se kreu demokrat i ka idetë e qarta për vetingun e politikanëve, mazhoranca do të presë vendimin e Komisionit të Venecias për të ngritur kartonin jeshil apo të kuq për propozimin e opozitës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!