Zguri: Asnjë ankesë në Kolegj Zgjedhor për Kapllanajn

schedule12:29 - 13 Nëntor, 2017

schedule 12:29 - 13 Nëntor, 2017

Kreu i KQZ-së Klement Zguri ka deklaruar se asnjë subjekt politik nuk ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin për kreun e Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj. Kreu i KQZ e dha këtë si argument kur u pyet nga gazetarët lidhur me kërkesën e PS për largimin e tij nga ky post. Zguri bëri të qartë se njeh vetëm Kolegjin Zgjedhor si organ që vlerëson vendimmarrjen e KQZ-së.

I gjendur përballë kërkesës së Partisë Socialiste për shkarkimin e tij në lidhje me çështjen e mandatit të kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri është i bindur se institucioni që drejton ka respektuar ligjin.

Zguri evitoi një përgjigje direkte nëse ai vetë si kryetar kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit.

Partia Socialiste që ka kërkuar shkarkimin e Zgurit, pretendon se kryetari ka shkelur ligjin e dekriminalizimit duke mos njoftuar Komisionin në mbledhje publike mbi materialin e mbërritur nga Prokuroria, brenda afatit 10 ditor që parashikon ligji.

Ndërkohë, procedurialisht, shkarkimi i Zgurit nuk është i lehtë, në kushtet kur PS ka humbur mazhorancën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas lëvizjeve që pasuan marrëveshjen politike Rama-Basha të 18 majit.

Neni 18 i Kodit Zgjedhor, parashikon se mandati i anëtarit dhe kryetarit të KQZ-së mbaron para kohe kur ky institucion, me 4 vota nga 7, ia propozon Parlamentit një gjë të tillë. Gjithashtu, neni në fjalë parashikon disa kushte kur kjo mund të ndodhë, siç janë kryerja e veprimtarive politike, mbushja e moshës për pension, kur anëtari vdes apo jep dorëheqjen, kur mungon pa shkaqe të arsyeshme për një periudhë të caktuar kohe, si dhe kur me veprimet ose mosveprimet e tij cënon rëndë veprimtarinë e KQZ për përgatitjen, mbikqyrjen, drejtimin dhe verifikimin e të gjitha aspekteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe referendumet, si dhe me shpalljen e rezultateve të tyre.

Kjo pikë e fundit duket se është ajo që i afrohet më shumë pretendimit të PS-së, ndonëse Neni në fjalë bën të qartë se i referohet vetëm procesit zgjedhor dhe referendar./abcnews.al

https://youtu.be/f9cmNcal-cs