Nga Juxhin Mustafaraj
Tre muaj pas zgjedhjeve të 25 prillit, demokratët do të përcaktojnë sot shkaqet e disfatës së tretë elektorale. Kryesia e Partisë Demokratike do të mblidhet në orën 18:00 për tu njohur me dokumentet e analizës që 19 drejtuesit politikë kanë firmosur sa i takon shkaqeve të jashtme por edhe faktorëve të brendshëm që sollën humbjen e demokratëve në 25 prill.
Shit-blerja e votës, përdorimi i administratës dhe patronazhistët janë disa prej faktorëve të renditur nga drejtuesit e PD, teksa përgjegjësi për rezultatin në disa qarqe i është ngarkuar edhe aleatëve të PD që nuk u koordinuan në fushatën zgjedhore.
Debate në mbledhje pritet të ketë edhe për ndryshimet statutore, ku Fatbardh Kadilli pritet të kërkojë që kryesia të zhbëjë vendimin e Komisionit Statutor që vendosi të kalojë për miratim vetëm propozimet e Lulzim Bashës.
Pjesë e debatit pritet të jetë edhe Enno Bozdo, i cili publikisht kërkoi që të merren në konsideratë propozimet e Kadillit dhe Edith Harxhit për kufizimin e mandatit të kryetarit.
Në mbledhjen e sotme të kryesisë, Lulzim Basha do t’i paraqesë kryesisë edhe emrat e rreth 300 kandidatëve për anëtar të Këshillit Kombëtar. Do të jetë Kuvendi Kombëtar këtë të shtunë i cili përmes votës do të zgjedh 150 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar. /abcnews.al

