Basha takon banorët e Unazës: Ligjshmëria e vetme qëndresa juaj

schedule19:01 - 14 Nëntor, 2018

schedule 19:01 - 14 Nëntor, 2018

Prokuroria sipas kryetarit të Partisë Demokratike duhet të kishte nisur hetimet për atë që po ndodh me banorët e Unazës së Re në Tiranë. Pas takimit me to, Lulzim Basha foli për tre shkelje kryesore të projektit të Unazës së Madhe të Tiranës.

Qëndresa e banorëve, të cilët preken nga projekti i Unazës së Madhe të Tiranës është e vetmja gjë e ligjshme në këtë çështje. Deklarata vjen nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili pas takimit me banorët foli për tre shkelje kryesore.

“Një inxhinieri apo një firme inxhinerike i ka le në zemër të bëjë dhuratë një projekt për këtë pjesë të unazës. E ka paraqitur në shkelje totale të normave të projektimit brenda qytetit. E dyta që ne kemi denoncuar me fakte është skema korruptive e tenderit. Se si ëshytë bërë tenderi pa konkurrencë. 40 milionë euro për më pak se 2 kilometra. Projekti është i paligjshëm sepse që të kryhet një projekt i tillë brenda Tiranës, duhet që të miratohet nga pushteti vendor. Institucioni që normalisht duhet të dilte në krah të qytetarëve të Tiranës. Bashkia të thoshte ne nuk do ta pranojmë këtë projekt, ne nuk do ta kalojmë këtë projekt. Kanë në krye një fundërrinë që del dhe sulmon qytetarët me shprehje raciste”, theksoi Basha.

Përballë një panorame të tillë, Basha thotë se Prokuroria duhet të kishte nisur hetimet.

“Të gjithë po të kishte prokurori do ishin në ndjekje penale dhe po të lëviznin gishtin më tutje do shkonin në burg, por për fat të keq ne sot kemi një problem të madh kombëtar. Ne nuk kemi drejtësi, ne nuk kemi prokurori”, u shpreh kreu i PD-së.

Ndërsa banorëve, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i jep shpresë duke i treguar dy vendimet e qeverisë Berisha për dëmshpërblimin e banesave të tyre.

“I pari i vitit 2011 përcakton një precedent ligjor ku vendos qartë që të gjithë ata që janë në proces legalizimi, ata që kanë bërë vetëdeklarimin, në rast të ndërtimit të veprave publike do të shpronësohen me vlerën e tregut dhe do të dëmshpërblehen me vlerën e tregut. VKM-ja e dytë, zbatimi i këtij precedenti ligjor në një projekt që është ai i ndërtimit të Unazës së Madhe këtu ngjitur”, u shpreh Lulzim Basha.

Partia Demokratike deklaroi Basha do të jetë në krah të banorëve që po mbrojnë pronën e tyre me çdo çmim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!