Provokacija/ Desada Metaj tregon nëse do të bëhet deputete

schedule21:53 - 13 Nëntor, 2018

schedule 21:53 - 13 Nëntor, 2018

E ftuara e tretë e kësaj puntatë të emisionit “Provokacija” nga gazetari Mustafa Nano ishte kryeredaktorja e “Opinion” Desada Metaj.

Biseda nisi me tema për të cilat ajo nuk është shumë mikpritëse. Veshja e deputeteve shqiptare.

“Vishen mirë, vishen më mirë se para 10 viteve kur unë kam filluar të bëj këtë profesion. I kushtojnë shumë rëndësi. Ka një problem, ky është ndoshta një vëzhgim femëror, kopjojnë pak njëra-tjetrën, nuk janë origjinale. Ka një lloj konkurrencë dhe kjo i bën ti kushtojnë edhe më shumë rëndësi se ç’duhet veshjes, më shumë se sa mesazhet që duhet të përcjellin në parlament.”

Metaj diskutoi për arsyet e saj për ti qëndruar larg përkohësisht ekranit dhe rëndësinë që ka ai për të.

“Ekrani ka qenë shumë i rëndësishëm. Unë kam dalë në ekran kur kam qenë 23 vjeç. Unë jam spikerja e parë e televizioneve private në shqipëri. Shkëputja është cikël, mendoj që cikli i prezantimit të lajmeve për mua u mbyll. Erdhi momenti kur vetë lajmet e televizionit e humbën rëndësinë, për shkak të portaleve dhe informacioneve të shpërndara nga interneti. Për vetë faktet që lajmet e humbën potencialin dhe impaktin që kishin në publik. Gjithashtu dhe vetë përmbajtja e lajmeve ndryshoi. Kaseta e ardhur e lajmeve të gatshme nuk të jepnin më atë emocionin e dikurshëm, kur ti prezantoje një kokë lajmi dhe pastaj pritej një bombë apo një gjë që ndryshonte shumë.”

Gazetarja tregon dhe për prirjet e saj politike.

“Me klishetë “vota është e fshehtë” mua nuk më pëlqen të përgjigjem, por që unë jam e djathtë kjo është një gjë të cilën nuk e kam fshehur kurrë. Kjo gjë nuk më ka penguar asnjëherë që të jem korrektë dhe serioze në punën time dhe deri më sot nuk kam pasur asnjë problem dhe asnjë përballje në prokurori me lajmet që kam shkruar, me lajmet që kam përcjellë. Të qenurit e djathtë jo automatikisht më bën mua votuese të PD.”

Gjithashtu ajo dhe mendimin e saj dhe për ish-kryetarin e PD, Sali Berisha.

“Për mua është një eksperiencë shumë e mirë dhe shumë e vlerësueshme fakti që kam punuar afër me të për 7 vjet, është një shkollë. Të punosh afër me të absolutisht është një gjë me vlerë, sigurisht që kam shumë vrejtje të cilat edhe i kam shkruar, për mënyrën se si ka qeverisur mandatin e dytë. Por absolutisht mendoj se mandati i tij i parë është një nga modelet më të mira që ka pasur Shqipëria. Lulzim Basha dhe Sali Berisha nuk ngjajnë me njëri-tjetrin kështu që nuk ka arsye se përse Basha të kopjojë Berishën. Basha ka mëkatet e veta për drejtimin e PD, por nuk ka arsye pse të kopjojë Berishën.”

Gazetarja tregoi nëse në të ardhmën do të ishte pjesë e politikës shqiptare.

“Jo, asnjëherë, politika nuk është ambicia ime. Jo më. E kam përjashtuar 100%. Mund të kem pasur dhe ofertë për tu bërë, por nuk do të bëhem kurrë pjesë e valles. Mua më pëlqen që ta konsideroj politikën, përveç se ushqim të përditshëm edhe pak sport. Kjo më pëlqen më shumë se sa të jem pjesë e brendshme.”

Së fundmi, Metaj tregoi dhe opinionin e saj për kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.

“Për mua Monika ka një rritje të madhe, të paktën që në kohën kur ka marrë drejtimin e LSI-së. Është një nga njerëzit më aktivë, me aftësi të veçanta organizative dhe mendoj se është një nga shtyllat kryesore që ka bërë të mundur që ajo parti të funksionojë. Përtej makinacioneve të Ilir Metës si prej politikanëve nga më të fuqishmit në Shqipëri, mbështetja e tij kryesore në organizimin e një strukture që ka funksionuar gjithmonë në zgjedhje ka qenë Monika. Mendoj që është rritur politikisht edhe këto 6 muajt e fundit.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!