Një 49 vjeçar është vrarë mbrëmë pas mesnatës në Mitrovicë, kurse një person tjetër ka mbetur i plagosur.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti konfirmoi për mediat se ngjarja ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës.
“Me datën 10 korrik 2021, në ora 00:20, policia në Mitrovicën e Jugut, ka pranuar informatën për të shtëna me arme zjarri në rrugën Evlia Qelebia. Me të pranuar informatën, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona ishin plagosur të cilët me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, më pas janë dërguar në QKUK- Prishtinë. Ndërsa rreth orës 02:00, nga autoritetet spitalore është raportuar se njëri nga të plagosurit, viktima D. S., 49 vjeçar, si pasojë e plagëve ka vdekur, ndërsa i plagosuri tjetër viktima J. S., 52 vjeçar, mbetet në tretman të mëtejmë mjekësor”, deklaroi ai.
Zaiti shtoi se, pas ekzaminimeve të kryera në vendin e ngjarjes, hetuesit e krim-teknikës si prova materiale kanë gjetur katër gëzhoja dhe një predhë të plumbit si dëshmi materiale që ndërlidhen me rastin.
“Nga hetimet e deritanishme dhe dyshimet e ngritura, dy persona të dyshuar janë në kërkim policor identiteti i të cilëve tashmë është i njohur për policinë”, deklaroi ai.
Hetimet vijojnë dhe po punohet për arrestimin e personave të përfshirë. /abcnews.al/