Ngrihet “Fshati i Festave” në sheshin Skënderbej

schedule19:27 - 12 Nëntor, 2018

schedule 19:27 - 12 Nëntor, 2018

Në sheshin “Skënderbej” ka nisur vendosja e shtëpizave të “Fshatit të Festave”, një hapësirë ku qytetarët e Tiranës mund të kalojnë kohën dhe të argëtohen në prang të festave të fundvitit.

Festat e fundvitit po afrojnë dhe Tirana po bëhet gati për të mikpritur ato në sheshin “Skëndërbej”. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se, fëmijët meritojnë ta kenë qendrën e qytetit të zbukuruar, ashtu si shumë kryeqytete të Europës.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Është e pabesueshme se sa vapë po bën këtë nëntor dhe ndihet më shumë si verë se sa si stinë festash të fundvitit. Megjithatë, ashtu siç po ndodh në të gjithë botën, qytetet po përgatiten për t’i filluar pak më herët festat. Berlini, Londra, Nju Jork-u kanë filluar të zbukurohen që në fund të tetorit. Me kërkesën e shumë fëmijëve në Tiranë, të cilët na kanë kërkuar që festat të zgjasin një çikë më shumë, në pamundësi që t’i zgjasim në janar, po i fillojmë pak më herët sepse besoj që fëmijët meritojnë ta kenë qendrën e qytetit të zbukuruar gjatë gjithë sezonit të festave tona kombëtare, por edhe ato të Vitit të Ri”.

Këtë fundjavë pohoi Veliaj, do të bëhet ndezja e pemës së Vitit të Ri, duke i dhënë kryeqytetit energji pozitive.

“Nëntor-dhjetori do të jetë i mbushur me aktivitete, me jetë, me gjallëri dhe me energji pozitive në qendër të Tiranës. Kemi filluar vendosjen e “Fshatit të festave” në Tiranë, do të kemi shumë artizanë, gatime tradicionale, por përfitojmë edhe nga fluksi i madh i turistëve që kanë ardhur në Tiranë. Këtë fundjavë do të ndezim pemën e Vitit të ri. Kemi përdorur një sistem zbukurimesh në qytet, si kurrë më parë, dhe besoj për të gjithë do të jetë një atmosferë fantastike në kryeqytet”, tha ai.

Në fund kreu i bashkisë më të madhe në vend ftoi shqiptarët nga trevat shqipfolëse dhe diaspora që pushimet e fundvitit t’i rezervojnë në Tiranë, ku do të gjejnë një atmosferë fantastike./abcnews.al