Investimet në infrastukturë për vitin e ardhshëm kreu i qeverisë zgjodhi t’i artikulojë nga Vlora, qytet në të cilin priten nisjet e punimeve për aeroportin vitin e ardhshëm si dhe një sërë investimesh.
Kryeministri Rama zhvilloi një takim me qytetarët për buxhetin e vitit të ardhshëm sa i përket infrastrkuturës, në qytetin bregdetar të Vlorës, përzgjedhjen e të cilit e argumentoi ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.
Metoda e përdorur, ajo e Partneritetit Publik Privat, nuk ka asgjë të keqe tha Gjiknuri, i cili i parapriu një shpjegimi të kryeminsitrit për procedurën. Këtë, nuk e konsideron si borxh lënë brezave të ardhshëm kreu i qeverisë Rama.
“Deri në vitin 2013, buxheti i shtetit mbështetej tek borxhi i jashtëm. Ndërkohë që sot, ne kemi një buxhet, i cili nuk bazohet mbi asnjë qindarkë borxh, që do të thotë se gjithçka që ne do të vazhdojmë të ndërtojmë nuk do të ndodhë duke ia lënë si barrë fëmijëve tanë”.
I parashikuar përmes një kontrate të tillë është aeroporti i Vlorës.
“Kemi pasur një negociatë të vështirë për të finalizuar kontratën për aeroportin e Vlorës, por, siç u tha këtu, unë e përsëris, në të gjitha rastet, vitin e ardhshëm do të fillojmë ndërtimin e Aeroportit të Vlorës”.
Buxheti 2019 parashikon edhe rrugën Orikum-Llogara, ku i mbetet ministrit mbajtja e një zotimi të premtuar prej vitesh sipas Ramës.
“Tuneli i Llogarasë ka të paktën 30 vjet, në mos gabohem, që premtohet dhe është koha që tunelin ta bëjmë realitet”!
Buxheti 2019 gjeti hapësirë edhe për çka prej 30 vitesh ishte e pamendueshme për kreun e qeverisë.
“Kemi për herë të parë, mbas 30 vitesh buxhet për hekurudhat, jo për të mbajtur në punë njerëz që thonë punoj në hekurudhë dhe hekurudhë nuk ka, por për të ndërtuar hekurudhë. Hekurudhën e re të shpejtësisë së lartë, Tiranë – Rinas – Durrës do ta fillojmë vitin e ardhshëm dhe do të rindërtojmë plotësisht linjën Fier – Vlorë të hekurudhës, që do të lehtësojë shumë edhe bizneset në portin e Vlorës.”
Ka përfunduar edhe rilidhja e kontratës për by-passin e Fierit thekson Rama, duke premtuar se traseja do të jetë e hapur deri në sezonin e ardhshëm. E gjithçka lidhet ngushtësisht me situatën ku e gjeti vendin pesë vjet më parë, sipas kryeministrit, i cili më herët gjatë ditës inspektoi ecurinë e punimeve në rrugën Kardhiq – Delvinë./abcnews.al