Mungesa e mbikalimeve në Rrugën e Kombit, Banorët: Nuk përmbushin nevojat tona

schedule14:46 - 8 Nëntor, 2018

schedule 14:46 - 8 Nëntor, 2018

Prej disa vitesh në aksin rrugor Kukës – Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit, mungojnë mbikalimet. Së fundmi kanë nisur të ndërtohen tre të tilla, por banorët e fshatrave në këtë zonë thonë për ABC News se i kanë shumë larg dhe nuk përmbushin nevojat e tyre të përditshme.

Kalimi i trafikndarësve në Rrugën e Kombit nga Kukësi deri në Morinë për banorët e fshatrave është një rutinë e përditshme, por mjaft e rrezikshme. Prej 9 vitesh situata është e tillë.

Banori 1: “Ja makina. Nënat tona e motrat tona, mund ti shtypi makina, ose s’mund të kalojnë e thyejnë këmbët.”

Këto ditë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur punimet për ndërtimin e dy mbikalimeve, njëri në fushoren e Uzinës e tjetri në Terthore. Një i tretë po ndërtohet nga koncesionari. Asnjëri prej tyre nuk përmbush kërkesat e banorëve. Jetesa e tyre është cënuar pikërisht nga ndarja e pronave dhe shtëpive.

Banori 2: “Uji vaditës merret përmbi autostradë. Nëse i vendos dhe gardhin, s’kanë ku kalojnë njerëzit për të marrë ujin.”

Banori 3: “Kemi pasur gjithë këto raste, kemi pasur gjithë këto aksidente këtu. Janë 3 katunde që duhet të lidhen. Nuk është zgjidhur ky problem deri sot.”

Banori 4: “Kemi nënën dhe babain, për ti nxjerrë nga ana tjetër e autostradës, nuk mund ti nxjerrim.”

Mbikalimet e planifikuara janë me konstrukt metalik dhe shkallë, duke e bërë të pamundur lëvizjen e bagëtive nga njëra anë në tjetrën.

Banori 5: “Janë duke e bërë atë mbikalimin me shkallë atje. Jopët nuk ngjiten në shkallë, ato ecin në tokë. Ata atje janë bërë pa na pyetur ndokush.”

Banori 3: “Nuk do të gjejë qetësi kjo rrugë, deri sa të bëhet mbikalimi, nënkalimi dhe rrethrrotullimi i madh.”

Punimet për dublimin e urave dhe nënkalimin në Breglume, thuajse janë drejt përfundimit. Në fund të procesit, e gjithë autostrada është parashikuar të rrethohet në dy anët e saj me mbrojtëse metalike e rrjetë. Këtu përjashtohen vetëm mbikalimet./abcnews.al

Përgatiti: Bujar Muçmata, gazetar i ABC News