Ambasada amerikane zbardh takimet, Reeker: Shpalljet non-grata në interes të sigurisë kombëtare

schedule17:27 - 30 Qershor, 2021

schedule 17:27 - 30 Qershor, 2021

Zyrtari i Lartë i DASH Philip T. Reeker ka deklaruar ditën e sotme gjatë vizitës në Tiranë se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor, duke iu referuar këtu shpalljes non-grata, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara.

Ambasada e SHBA në Tiranë ka zbardhur takimet që Reeker ka pasur me kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha përgjatë ditës së sotme.

Reeker është shprehur se SHBA mbështet reformat në sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar duke nënvizuar se si përparimi në këto çështje do të nxisë demokracinë dhe do të vijojë rrugën e Shqipërisë drejt pranimit në Bashkimin Europian.

“Ndihmës Sekretari i Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Ambasadori Philip T. Reeker vizitoi sot Tiranën. Gjatë vizitës, ai u takua me Kryeministrin Rama, Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, disa prej anëtarëve të verifikuar plotësisht të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, si dhe udhëheqës të tjerë.

Përgjatë të gjitha takimeve, Ndihmës Sekretari në Detyrë Reeker theksoi rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit, që kur Shqipëria refuzoi diktaturën komuniste dhe pranoi demokracinë. Ai nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse të Nenit mbi Përvetësimet 2021, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara.

Ai përgëzoi udhëheqësit e Shqipërisë për suksesin e tyre në mikpritjen e Stërvitjes Defender Europe 21, e cila theksoi rolin strategjik të Shqipërisë në rajon. Ai mirëpriti rolin e Shqipërisë në rajon dhe në arenën globale, ndërsa Shqipëria merr vendin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndihmës Sekretari në Detyrë përsëriti mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për reformat në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër krimit të organizuar, duke nënvizuar se si përparimi në këto çështje do të nxisë demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin në Shqipëri dhe do të vijojë rrugën e Shqipërisë drejt pranimit në Bashkimin Europian’, shkruan ambasada e SHBA. m.v/abcnews.al