Rreth 300 kg kokainë është sekuestruar ditën e sotme në portin e Durrësit. Sasia rekord e lëndës narkotike ishte fshehur në një kamion me targa të Maqedonisë së Veriut, që po kalonte transit drejt Italisë.
Autoritetet shqiptare theksojnë se në bazë të dyshimeve të krijuara vendosën që kamionin ta fusnin për kontroll të detajuar në vijën e dytë, ku u zbulua droga. Kamioni drejtohej nga një 40-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, Nazif Ajroski, i cili u arrestua.
Sikur duket edhe në foton e publikuar nga policia e shtetit, kokaina ishte e paketuar me logot e “Chicago Bulls”, “Kenzo”, “Dior” dhe ekipit të PSG-së.
“Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të trafikimit të drogave të forta. Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, evidenton dhe sekuestron rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit me të cilin po transportohej lënda narkotike.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësi, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje një kamion transit me targa të Maqedonisë së Veriut.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamionin që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Task Forca gjeti të fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionit, shtetasi N. A., 40 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut” njofton policia.
Tashmë hetimi duhet të zbulojë, ku u ngarkua kokaina, brenda territorit shqiptar, apo arriti që të kalonte nga shteti fqinj pa u zbuluar në doganë, kush qëndron pas sasisë rekord dhe ku ishte destinacioni final.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Në vitet e fundit në Durrës janë sekuestruar sasi të mëdha kokaine me destinacion, jo vetëm tregun vendas, por edhe transit, si rasti i 400 kg drogë që u zbulua në 17 Maj, ndërsa ndalesa finale ishte Lipjani në Kosovë.
d.b/Abcnews.al