Pas 17 vitesh, fjongoja gjigante e kuqe që zbukuronte çdo vit fasadën e shtëpisë së modës Popp & Kretschmer në qendër të Vjenës nuk do të vendoset më gjatë sezonit të Krishtlindjeve 2026.
Ky dekorim, i cili ndodhet përballë Operës Shtetërore të Vjenës, është kthyer ndër vite në një nga simbolet më të njohura të festave dhe një prej vendeve më të fotografuara nga turistët dhe banorët e qytetit.
Lajmi është konfirmuar nga vetë kompania përmes një postimi në Instagram. Sipas drejtuesit të saj, Sascha Trefelik, vendimi është marrë për shkak të rregullave më të rrepta të sigurisë të vendosura nga autoritetet e Vjenës.
Një nga kërkesat kryesore ishte prania e një shërbimi të posaçëm sigurie, kostoja e të cilit është shumë e lartë për kompaninë. Gjithashtu, policia kërkonte mundësinë për të ulur ndriçimin ose për ta fikur plotësisht dekorimin në rast nevoje.
Një tjetër arsye lidhet me situatat e rrezikshme të krijuara vitet e fundit nga vizitorët që ndalonin në mes të rrugës për të fotografuar fjongon. Gjatë periudhës së Krishtlindjeve të vitit 2025, numri i njerëzve që mblidheshin për të bërë fotografi ishte shumë i madh, ndërsa disa prej tyre kalonin rrugën edhe me semafor të kuq për të realizuar foton e dëshiruar.
Kjo solli ndërhyrje të përsëritura të policisë dhe vendosjen e barrierave për të shmangur aksidentet. Për këtë arsye, autoritetet vendosën rregulla më të forta për dekorimin festiv.
Megjithatë, fjongoja e famshme nuk do të zhduket plotësisht. Kompania ka bërë të ditur se gjatë këtij viti ajo do të vendoset në vitrinën e dyqanit. Përmes fushatës me hashtagun #freethebow, Popp & Kretschmer po kundërshton atë që e konsideron si kufizim të tepruar nga ana e autoriteteve.
Ndërkohë, Vjena ka një tjetër dekorim që mund të tërheqë vëmendjen e vizitorëve këtë sezon. Hoteli i njohur Sacher ka vendosur një pemë Krishtlindjesh plot shtatë metra të lartë në fasadën e tij, e cila u prezantua në fillim të nëntorit në praninë e kryetarit të bashkisë, Michael Ludwig.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo pemë gjigante do të bëhet atraksioni i ri fotografik i Krishtlindjeve në Vjenë, duke zënë vendin që për 17 vite e mbajti fjongoja e kuqe.


