Disa tifozë të Partizanit shpalosën një banderolë raciste antigreke në ndeshjen ndaj Skënderbeut. Kjo solli reagime në Greqi, ndërsa klubi kryeqytetas e dënoi gjestin.
Gjetën një mënyrë për t’u bërë protagonistë. Disa tifozë të Partizanit shpalosën një banderolë raciste anti-greke, në ndeshjen ndaj Skënderbeut në stadiumin “Selman Stërmasi”. “Një grek më pak, një bastard më pak”, ishte parulla e hapur në një nga tribunat ku ndodheshin ultrasit, ndonëse nuk u mbajt ashtu për një kohë të gjatë. Ky veprim nuk mbeti pa u komentuar nga media të caktuara në Greqi, të cilat jo vetëm dënuan veprimin e tifozëve të kuq, por edhe e lidhën ngjarjen me presidentin e Partizanit, Demi, dhe drejtorin sportiv, Rama.
Partizani nuk vonoi të reagonte, duke e dënuar përmbajtjen e banderolës. “Distancohemi nga episodet sporadike, si rasti i banderolës, – shkruhej në deklaratë, – që nuk kanë lidhje me ngjarjen sportive dhe bien ndesh me politikat e lojës së ndershme të klubit tonë”.
Edhe tifogrupi “Ultras Guerrils” dolën me deklaratë duke u shprehur se veprimi nuk kishte të bënte me ta.
“… grupi Ultras Guerrils nuk ka lidhje me me parulla raciste, të shfaqura nga individë në stadium, nuk i mbështesim parulla të tilla që na barazojnë me nivelin e një ekstremisti”./abcnews.al