Zgjedhjet në Brazil, fiton Bolsonaro

schedule09:34 - 29 Tetor, 2018

schedule 09:34 - 29 Tetor, 2018

Ish-ushtaraku me qëndrime radikale, Jair Bolsonaro është presidenti i ri i Brazilit. Ai mposhti rivalin e tij nga Partia e Punës, e cila qëndroi në drejtim të vendit për katër mandate radhazi.

Zgjedhjet presidenciale në Brazil, në demokracinë e katërt më të madhe në botë, janë fituar në balotazh nga kandidati i ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro, i cili mori 55.5% të preferencave kundër 44.5% të fituara nga Fernando Haddad, trashëgimtar politik I ish presidentit Lula da Silva. Bolsonaro, ish-zyrtar i ushtrisë, është cilësuar në fushatën zgjedhore si “kërcënim fashist” për demokracinë braziliane. Pavarësisht rritjes në vota të regjistruar në ditët e fundit nga Haddad, rezultatet e balotazhit kanë konfirmuar parashikimet e sondazheve, që e konsideronin Bolsonaron si favorit edhe përpara turnit të parë të presidencialeve me 7 tetor.

Fitorja e ish ushtarakut paraqet një frakturë historike për Brazilin, pas një faze të katër qeverive radhazi të Partisë së Punës, që u mbyll në gusht të 2016-s me shkarkimin e Dilma Rousseff, dhe me administratën e Michel Temer, i cili shkoi në fundin e mandatit të tij duke thyer të gjitha rekordet e popullaritetit të ulët. Rezultati i zgjedhjeve në Brazil shënon edhe një mposhtje të re për partitë e liderëve protagonist të të ashtëquajturit “vala e kuqe” progresiste që përfshiu Amerikën Latine në fillim të shekullit 21, pas fitoreve të qëndrës së djathtë në Argjentinë, Kili, Peru dhe Kolumbi.

Bolsonaro, një deputet që kaloi tetë parti të ndryshme në pothuajse dy dekada të veprimtarisë parlamentare dhe deri kohët e fundit u konsiderua një karakter i çuditshëm, i njohur për deklaratat e tij polemizuese në favor të diktaturës ushtarake dhe torturës dhe kundër grave dhe pakicave racore, etnike dhe seksuale, është bërë për disa muaj udhëheqësi i cili synon të luftojë situatën e keqe në rritje të shoqërisë braziliane. Kriza ekonomike, por edhe skandalet e korrupsionit politik goditën partitë kryesore të vendit, dhe këto problematika mendohet të kenë drejtuar votuesti nga Bolsonaro. Ndërkohë, fitorja e tij është përshëndetur edhe nga presidenti amerikan Donald Trump. Ai nënvizon se do të punojë krah për krah me Bolsonaro për të përmirësuar jetët e amerikanëve dhe brazilianëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!