Çfarëdo të thuhet nga kabineti qeveritar apo përkrahësit e qeverisë mbi arsyet që bindën ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të dorëhiqet nga detyra, e vërteta është ndryshe deklaron kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Fatmir Xhafaj u largua nga frika e përballjes me përgjegjësitë e tij ligjore dhe politike për manipulimin e hetimit ndaj vartësve të tij, drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliut dhe njerëzve të tjerë të përfshirë në manipulimin e dosjes hetimore për vëllain e tij”, tha Basha.
Kjo është e vërteta e vetme sipas Lulzim Bashës që i përgjigjet edhe atyre që dyshojnë se dorëheqja lidhet me njoftimin e një deklarate për shtyp të ish-ministrit Saimir Tahiri.
“Nuk ka meritë as ministri tjetër i Habilajve dhe askush tjetër për largimin e Fatmir Xhafës. Largimi i Fatmir Xhafës është dëshmi e forcës së pathyeshme të opozitës dhe Partisë Demokratike bashkë me qytetarët shqiptarë në luftën kundër krimit”, theksoi Basha.
Jo vetëm ia jep të gjitha meritat opozitës për dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, por përfshin edhe faktorin ndërkombëtar, të cilit i janë janë hapur sytë sipas Lulzim Bashës.
“Operacioni policor i nisur me insistimin e faktorit ndërkombëtar nxorri në pah dhe vërtetoi atë që ne si opozitë e kemi thënë prej ditës së parë. Ky ishte momenti kur faktori ndërkombëtar e kuptoi se Fatmir Xhafaj nuk është gjë tjetër veçse një ushtar i bindur i Edi Ramës. Fatmir Xhafaj iku me turp. Iku i demaskuar para faktorit ndërkombëtar si njeriu i cili në fund të fundit është i detyruar të zbatojë urdhërat e bosit të tij si një vasal i Edi Ramës”, nënvizoi kreu i demokratëve.
Këto deklarata, kryetari i Partisë Demokratike i bëri nga Manza, një ndër zonat që qeverisen nga kryebashkiaku Vangjush Dako. Këtij të fundit i tregon se akrepat e orës së tij politike do të ndalen shumë shpejt.
“Vangjush Dako e ka vendin në burg, dhe në burg do të shkojë një orë e më parë, për korrupsionin, për vjedhjen, për bashkëpunimin me kriminelët”, u shpreh Basha.
E ka edhe një thirrje të fundit Lulzim Basha e kjo i drejtohet të gjithë qytetarëve. Për kryetarin demokrat duhet të largohet Edi Rama që beteja të quhet e fituar./abcnews.al