Qetësia e rifituar ditët e kaluara, duket se po merr fund për kryeministrin. Një tjetër bashkëpunëtor i ngushtë i tij, Vangjush Dako rezulton i lakuar në përgjimet e prokurorisë, në komunikim me persona me rekorde kriminale, ndërsa ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, u largua nga detyra. Kësaj panorame i shtohet edhe paralajmërimi për riaktivizim publik, i Saimir Tahirit, ish ministrit të Brendshëm nën hetim për trafik droge. Këto dritëhije të pushtetit të Edi Ramnës, në vitin e gjashtë si kryeministër, sjell këtë javë Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.
Nuk kanë të mbaruar sikletet për Edi Ramën. Emrat e njerëzve pranë tij, vijojnë të lakohen për lidhje me personazhe të krimit. Po e mban fort nën kontroll efektin publik edhe pse sikleti duket aq i madh, sa nuk kalon pa kosto. Këtë të shtunë u largua nga detyra ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i njëjti ministër të cilin nuk e lëshoi edhe kur u rishfaq historia e vëllait të dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Paraardhësi nën hetim i Xhafajt, Saimir Tahiri, duket se do rifillojë komunikimin me mediat. Në fakt prej dy javësh Kryeministri ia ka dalë të ulë interesin publik e mediatik për emrat e të vetëve, që përmenden në çështjet Babale e Xhisiela. Mbyllja e lojërave të fatit ishte lëvizja që prodhoi efekt publik në kulmin e atij debati, e me qetësimin e saj, i hapi rrugë me një shpejtësi olimpike, një synimi të hershëm, prishjes së Teatrit Kombëtar. Por dalja e emrit të një prej personave të tij të arfërt Vangjush Dako në përgjimet e dosjes që çoi në prerjen e 44 fletëarresteve dhe operacionit policor Volvo 4, e riaktivizimi i pritshëm publik i Saimir Tahirit, duket një sfidë e re për Kryeministrin në vitin e gjashtë në pushtet.
Përse vallë Kryeministri nuk e mbrojti vetë Dakon siç kishte bërë për të tjerët pranë tij, pas akuzave të Lulzim Bashës? Misteri u bë edhe më i fortë, kur të premten, disa portale njoftuan se ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do kishte një komunikim me gazetarët të shtunën. Por disa orë më vonë atë mbrëmje, u tha se ai komunikim mediatik ishte anulluar. Çfarë mungoi t’i thuhej vallë publikut ditën e shtunë?
Në fakt e shtuna e pati një komunikim të papritur. Kryeministri Rama me një postim krejt lakonik në Tuiter, bënte të ditur se kishte pranuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, duke i bashkangjitur edhe propozimin zyrtar drejtuar presidentit për emrin e pasardhësit, këshilltarin e tij Sandër Lleshi. Edhe Fatmir Xhafaj e konfirmoi përmes Tuiterit largimin e tij, njëlloj si Kryeministri, pa dhënë arsyen. U paraqit në zyrë për t’u përshëndetur me vartësit, po duket nuk e pati mundësinë e komunikimit mediatik të atij largimi. E bëri përmes këtij njoftimi në faqen e ministrisë së Brendshme, duke nënvizuar se kishte marrë një mision të vështirë, e kishte shërbyer me pasion e modesti shtetit. Padyshim që largimi i papritur i Fatmir Xhafajt ngre shumë pikëpyetje, për shkak të zhvillimeve të dukshme e të padukshme të javëve të fundit. A lidhet vallë me komunikimin e njoftuar mediatik e më pas të anulluar të Saimir Tahirit?
Sa lidhet ky largim me dosjen e operacionit Volvo 4, ku lakohet një nga njerëzit më të afërt të Kryeministrit, kryebashkiaku i Durrësit? Në fakt, po të shtunën, një ndryshim 180 gradësh pati edhe nga organi i akuzës. Korrigjoi deklaratën e një dite më parë për kryebashkiakun Vangjush Dako.
Por emri i Dakos nuk është regjistruar si pjesë e hetimit dhe ky sqarim shtesë i prokurorisë, veçse i thellon pikëpyetjet mbi këtë dosje, që ka vënë në pranga tashmë dy ish deputetë socialistë, e ka riaktivizuar akuzat ndaj Kryeministrit për njerëzit që ka zgjedhur të ketë në krah e me të cilët erdhi në pushtet. Një gjë duket e qartë: akrobacitë e kryera në hije tashmë po nisin të shfaqen. Se sa do ndikojnë ato në konfigurimin aktual politik, kjo mbetet për t’u parë./abcnews.al