Basha në Hajmel: Shteti i është dorëzuar totalisht krimit të organizuar.

schedule17:02 - 26 Tetor, 2018

schedule 17:02 - 26 Tetor, 2018

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar takimet në bazë ku nga fshati Hajmel i Vaut të Dejës, gjatë takimit me banorët, ka folur për zgjidhjen e vetme sipas tij, ndaj problemeve të mëdha të vendit. Për kryedemokratin kjo zgjidhje vjen vetëm duke ndarë krimin nga pushteti dhe kjo nis me Vettingun e politikanëve.

Pas Kusmaçit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi banorët e fshatit Hajmel në Vaun e Dejës, të cilëve i parashtroi zgjidhjen e tij politike për situatën ku sipas tij Edi Rama e ka çuar vendin.

“Shteti i është dorëzuar totalisht krimit të organizuar. Me Edi Ramën krimi i organizuar ia ka dalë të realizojë atë që s’e ka realizuar në asnjë vend të Europës. Shqipëria është sot në gjendjen e një grushti shteti. Nuk ka për të pasur zgjidhje për këtë vend pa larguar krimin nga politika. Dhe që të largojmë krimin nga politika duhet të largojmë politikanët e lidhur me krimin. Pse të pranojmë ne që gjyqtarët, prokurorët, policët dhe gardistët t’i nënshtrohen Vettingut dhe të largohen nga detyra me të drejtë, në qoftë se provohet se kanë lidhje kriminale dhe politikanët të mbeten jashtë dhe sipër ligjit. Vettingu i politikanëve do të bëhet”, tha ai.

Gjatë bashkëbisedimit, Lulzim Basha shprehu bindjen se dita që politika do t’i shërbejë vetëm qytetarëve është afër dhe se kjo do të nisë me zhbërjen e çdo kontrate dhe koncesioni korruptiv që shfrytëzon paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“Ne do t’i marrim të gjitha këto kontrata koncensionare, të cilat kapin në total shifrën 2.2 miliardë euro, do t’i shqyrtojmë ato me mekanizmin antimafia, do t’i çojmë drejt anullimit dhe, po me mekanizmin antimafia, do të bëjmë të mundur sekuestrimin, verifikimin dhe konfiskimin e çdo pasurie publike që këta oligarkë dhe zyrtarët publikë që i kanë firmosur kontratat, kanë vënë në kurriz të popullit më të varfër të Europës. Këto para do t’i kthehen qytetarëve shqiptarë përmes investimeve dhe shpërbimeve publike, theksoi kreu i demokratëve gjatë takimit me banorët e Vaut të Dejës”, tha kryeopozitari./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!