Lirohet nga arresti shtëpiak Artan Grubi. Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i akuzuari në rastin “Lotaria Shtetërore”, lirohet nga masa e sigurisë, pasi ka skaduar afati maksimal ligjor i parashikuar për këtë masë.
Ndërkohë, mbrojtja e tij i ka dorëzuar gjykatës kërkesë për heqjen edhe të masave shtesë të mbajtjes së pasaportës, ndërsa si garanci ai ofron një pasuri të paluajtshme në vlerë prej 335 mijë eurove.
Pas ofrimit të garancisë, kërkesa i është dërguar për mendim prokurorisë publike kompetente. Gjykata Themelore Penale në Shkup thotë se pas marrjes së mendimit, Këshilli Penal do të shqyrtojë propozimin dhe do ta informojë publikisht.
Tani ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi do të mbrohet në liri. Grubi është i akuzuar në rastin “Lotaria Shtetërore” për keqpërdorim të pozitës zyrtare, konkretisht blerjen e mjeteve elektronike të lojërave të fatit në vitet 2023–2024.
Akuza kundër tij është ngritur më 13 gusht të vitit 2026. Grubi, në gjykimin është deklaruar i pafajshëm. Ish-zëvendëskryeministri, pas më shumë se 14 muajsh i paarritshëm për organet e ndjekjes penale, u kthye në vend në shkurt të këtij viti dhe u arrestua në vendkalimin kufitar të Bllacës./abcnews.al


