Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Përurohet shtëpia-muze e Dritëro Agollit në Menkulas, Begaj: Një pasuri e re për trashëgiminë kulturore shqiptare

schedule15:17 - 13 Tetor, 2026

schedule 15:17 - 13 Tetor, 2026

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së shtëpisë-muze të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli në Menkulas të Devollit me rastin e përvjetorit të 95-të të lindjes së tij.

Kreu i Shtetit vlerësoi figurën e Dritëro Agollit si një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare, i cili, përmes veprës së tij, e bëri vendlindjen pjesë të pandashme të identitetit kombëtar.

“Njeriu largohet nga vendlindja për të njohur botën, por ka njerëz që, përmes veprës së tyre, e bëjnë vendlindjen të njohur për botën. Dritëro Agolli i bëri të dyja këto”.



Hapja e shtëpisë-muze, – theksoi Presidenti Begaj, përfaqëson një akt mirënjohjeje kombëtare ndaj shkrimtarit, por edhe një investim me vlerë për trashëgiminë kulturore.

“Inaugurimi i kësaj shtëpie-muze sot është jo vetëm një akt mirënjohjeje ndaj një shkrimtari të shquar, por edhe një shembull i përgjegjësisë që komunitetet lokale duhet të kenë për historinë dhe identitetin e tyre. Kjo nuk është thjesht shtëpia e kujtesës së një individi. Është një pasuri e re kulturore e Devollit, një adresë e re për vizitorët, studiuesit dhe të rinjtë, një hapësirë që i shtohet trashëgimisë sonë kulturore kombëtare”.

Kreu i Shtetit evidentoi aftësinë e Dritëro Agollit për të pasqyruar jetën dhe botën shpirtërore të njerëzve të zakonshëm, mjeshtërinë e përdorimit të gjuhës shqipe, çka e bëri një nga zërat më të fuqishëm dhe të dashur të letërsisë shqipe.

“Dritëroi ishte shkrimtar që nuk i shihte njerëzit nga lart. Ai qëndronte mes tyre. Prandaj lexuesi shqiptar e ndiente të afërt: në poezinë e tij gjente ndjenjat e veta, në prozën e tij njihte njerëzit që kishte takuar, ndërsa në humorin e tij zbulonte të vërteta që shpesh nuk mund të thuheshin ndryshe”.

Krahas figurës së Agollit si shkrimtar, Presidenti i Republikës vlerësoi dhe kontributin e tij si intelektual në debatet shoqërore, sidomos gjatë ndryshimeve të viteve ’90. Ai shprehu mirënjohjen për kontributin e dhënë në ruajtjen e kujtesës dhe trashëgimisë së Dritëro Agollit, duke theksuar rëndësinë e këtij investimi për të ardhmen, veçanërisht për edukimin e të rinjve. Më herët, Presidenti Begaj u prit në Bashkinë e Devollit nga Kryetari, z. Eduard Duro, dhe Prefektja e Korçës, znj. Florinda Zegullaj. Kreu i Shtetit i përgëzoi ata për nismat në shërbim të zhvillimit të zonës dhe vlerësoi shpirtin punëtor e sipërmarrës të devollinjve.

Gjatë vizitës në Devoll, Kreu i Shtetit u ndal, gjithashtu, në Teqenë e Inonishtit në Kuç dhe në kishën e Shën Kollit në Hoçisht, dy monumente fetare me vlera historike të zonës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!