Kuvendi i Shqipërisë miratoi shkarkimin e presidentit Ilir Meta me 104 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenim.
Pas këtij vendimi, një reagim ka ardhur edhe nga Partia Demokratike e cila e konsideron veprim antikushtetues. Nëpërmjet një komunikimi në rrjetin social “Facebook”, PD thekson se ky akt vjen menjëherë pas masakrës zgjedhore dhe grabitjes së votave.
Gjithashtu Partia Demokratike kërkon që Gjykata Kushtetuese të ruajë paanësinë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, ndërsa kërkon nga kjo e fundit të refuzojë shkarkimin e Presidentit Meta.
Lexo edhe: Kuvendi shkarkoi Metën, Presidenca: Veç pensionit të përjetshëm, i siguruat një palë pushime qyl
Reagimi i plotë:
“Sulmi antikushtetues i Parlamentit ilegjitim mbi Institucionin e Presidentit të Republikës është akt që thellon edhe më shumë tiparet antidemokratike të regjimit Rama-Doshi.
Ky akt vjen menjëherë pas masakrës zgjedhore dhe grabitjes më të madhe të votave të kryer ndonjëherë.
Përfaqësuesit e krimit të organizuar në Kuvendin njëpartiak të Shqipërisë nuk mund të jenë kurrë garant të Kushtetutës dhe as nuk mund të marrin vendime në emër të saj.
Edi Rama ka përdhosur me qindra herë Kushtetutën e Shqipërisë dhe është ekspozuar përpara çdo shqiptari si armik i demokracisë dhe shtetit ligjor.
Partia Demokratike e konsideron antikushtetues vendimin e Kuvendit njëpartiak për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe kërkon nga Gjykata Kushtetutese të ruajë paanësinë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, duke refuzuar farsën për shkarkimin e Presidentit të Republikës.”, deklaron PD./i.k/abcnews.al/


