ILD raporton në KLGJ për kërkesën e shkarkimit të gjyqtarit të “El Classico” Kliton Spahiu

schedule12:13 - 2 Qershor, 2021

schedule 12:13 - 2 Qershor, 2021

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka bërë në KLGJ parashtresën për kërkesën për shkarkimin nga detyra e magjistratit Kliton Spahiu.

Sipas Artur Metanit, rezulton që Kliton Spahia me vendimin gjyqësor të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë (nr. 69, datë 29.10.2019), ka lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (nr. 19, datë 21.09.2020) duke e deklaruar fajtor për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç të K.Penal.

Magjistrati aktualisht është i pezulluar nga detyra me vendimin të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për shkak të marrjes si i pandehur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

Ndërkohë gjyqtari Kliton Spahia ka kërkuar miratimin e dorëheqjes nga detyra. Por sipas ILD, paraqitja e dorëheqjes se magjistratit nuk përbën shkak për mbylljen e hetimit disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Këshilli i Lartë Gjyqësor me datë 01.03.2021 ka vendosur të pezullojë shqyrtimin e dorëheqjes së magjistratit Kliton Spahia deri në përfundimin e hetimit disiplinor të inicuar ndaj tij nga ILD. Për rrjedhojë rezulton se ai gëzon statusin e magjistratit dhe është subjekt i hetimit disiplinor.

Në raport me faktet e provuara në këtë proces hetimi disiplinor si dhe të pranuara nga gjykata rezulton se nga ana e magjistratit Kliton Spahia janë ndërmarrë veprime aktive me anë të përfitimit në mënyrë të drejtpërdrejtë, veprime të cilat janë vlerësuar se përmbajnë elementë të veprës penale të kryera gjatë ushtrimit të detyrës, me dashje direkte dhe me qëllim përfitim të parregullt prej tyre, duke favorizuar njërën palë ndërgjyqëse nëpërmjet dhënies së vendimi gjyqësor civil në favor të tij.

Veprimet e magjistratit kanë cenuar veprimtarinë e rregullt të organeve të drejtësisë nga veprimet e parregullta të personave të jashtëm por edhe nga veprimet e vetë atyre si funksionarë të drejtësisë.

Këto veprime kanë cenuar besimin e palëve ndërgjyqësore dhe të publikut në organet e drejtësisë dhe respektimin e ligjit nga ana tyre, si dhe kanë diskretituar rëndë pozitën dhe figurën e magjistratit.

Ushtrimi i pa rregullt i detyrës nga ana e magjistratit ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskretituar rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, si dhe ka cenuar besimin e publikut te drejtësia.

Kur shkelja disiplinore identifikohet me kryerjen e një krimi, për të cilin magjistrati është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, passjell shkarkimin nga detyra të magjistratit, si një masë me natyrë përjashtuese nga sistemi gjyqësor, me karakter të përhershëm, e cila nuk shuhet.

Për pasojë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon nga KLGJ administrimin e provave të paraqitura prej tij në këtë procedim disiplinor, pranimin e kërkesës së ILD për fillimin e procedimit disiplinor dhe caktimin ndaj magjistratit K.S. të masës disiplinore “shkarkim nga detyra”.

Tre gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno u shpallën fajtorë nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda për veprën penale të korrupsionit dhe u dënuan me nga 2 vjet burg secili. Ndërsa biznesmeni Namik Sadik, i akuzuar se u ka paguar atyre udhëtimin në Madrid, u dënua me një vit burg. Më herët këtë, Petrit Çeno një prej të dënuarve, u shkarkua nga posti si gjyqtarë pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Tre gjyqtarët kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014 në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadik, pronari i një kompleksi turistik në Durrës dhe sipas Prokurorisë, udhëtimi është paguar prej tij. Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”. /acbnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!