Operacioni i Policisë në 12 qytete, 27 të arrestuar

schedule10:55 - 22 Tetor, 2018

schedule 10:55 - 22 Tetor, 2018

Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit kanë dhënë zyrtarisht shifrat e bilancit të operacionit që u realizua në tre ditët e fundit në 12 qytete të vendit nga veriu në jug. Gjithsej janë lëshuar 44 urdhër-arreste për katër grupet kriminale. Nga operacioni u godit grupi i laboratorit të heroinës në Has, grupi i Shijakut, ndërsa janë arrestuar edhe dy ish-deputetët e PS, Arben Ndoka dhe Arben Çuko, që dolën nga përgjimet e grupit kriminal të Avdylajve.

Për zbulimin e laboratorit të Heroinës në Brenog të Hasit dhe prangosjen e 27 personave, të cilët janë të skeduar si anëtarë të katër grupeve kriminale, u angazhuan rreth 1500 forca policia në të gjithë vendin. Këto janë pamjet nga brenda laboratorit të drogës të shpërndara nga uniformat blu. Siç duket edhe nga pamjet brenda ambienteve të godinës në pronësi të Xhevit Shuti, agjentët e antidrogës gjetën fuçi dhe bidona me lëndë të parë që përdoret për përftimin e heroinës.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, dhanë detaje për laboratorin e heroinës dhe si ranë në gjurmë të tij.

Ardi Veliu: Gjithashtu u godit një laborator i përpunimit të heroinës në fshatin Brenog në Has, ku ndër të tjera janë sekuestruar 182.5 kilogramë morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës. Procedimi për këtë operacion ka nisur pas një referimi të Policisë së Shtetit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Gjatë kësaj periudhe, veçanërisht me intensitet në muajt e fundit, për dokumentimin e kësaj dosjeje, janë përdorur metoda speciale të hetimit. Të arrestuar në flagrancë janë 5 shtetas për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve”, “Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale:

  1. Vehbi Berushi, 57 vjeç
  2. Flamur Çela, 48 vjeç
  3. Xhevit Shuti, 48 vjeç
  4. Mustaf Shuti, 76 vjeç
  5. Anila Shuti, 42 vjeç

U shpallën në kërkim 4 persona: 2 shtetas turq, 1 kosovar dhe 1 shqiptar”.

Donika Prela: “Ka pasur dyshime të arsyeshme se persona të paidentifikuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin trafikonin lëndë narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë si dhe vende të tjera të BE-së. Mbi këtë bazë janë kryer hetime si përgjime ambientale, vëzhgime etj, ytë realizuara në një periudhë kohore prej dy vjet”.

Po kështu nga përgjimet dolën edhe dy ish-deputetetët e Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko. Laboratori i drogës u godit më mëngjesin e 18 Tetorit. Ndërkohë burime, nga policia pohojnë se Astrit Avdyli dhe anëtarët e tjerë të organizatës kriminale me qendër në Shijak të Durrësit ishin edhe poseduesit e lëndës narkotike, të cilët do ta eksportonin në shtetin Gjerman.

Ardi Veliu: Në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, janë ekzekutuar vendime penale në disa qytete, si dhe janë ushtruar rreth 100 kontrolle banesash dhe ambientesh të tjera. Të arrestuar për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, si dhe pastrim i produkteve të veprës penale janë 18 persona”.
Po kështu edhe tre punonjës të policisë u prangosën të cilët kanë ndihmuar anëtarët e grupit kriminal të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme dhe t’i shpëtojnë prangosjes.

Ardi Veliu: Në kuadër të këtij mega operacioni, ku u goditën këto 4 grupe kriminale, është zbuluar edhe implikimi i 3 punonjësve të Policisë së Shtetit. Ata akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatës kriminale: 
1. Ardit Gjyriqi, nga Tirana;
2. Jasin Abdul, nga Saranda;
 
3. Bledar Koçi, nga Lushnja.Ndërkohë në kuadër të këtij procedimi janë arrestuar më herët edhe 12 persona për vepra të ndryshme penale që lidhen me fushën e narkotikëve”.
 

Gjatë kontrollit në më shumë se 100 objekte u zbuluan lëndë narkotike heroinë e kokainë, 3 pistoleta, presë për lëndë narkotike të llojit heroine, peshore elektronike si edhe13 mjete, ku njëri është i blinduar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!