Japonia ka ndihmuar Kosovën me pajisje mjekësore në luftën kundër Covid-19. Mësohet se vlera e pajisjeve mjekësore të dhuruara nga Japonia për Kosovën arrin vlerën e 810 mijë eurove dhe synon të mbështesë përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë për të përmirësuar sistemin e saj shëndetësor dhe kapacitetet mjekësore në luftën kundër COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se pjesë e ndihmave ishin 20 pompa shiringash dhe 10 elektrokardiograma.
Ceremonia e dorëzimit të pajisjeve mjekësore u mbajt bashkërisht nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani.
Ministri Vitia shprehu vlerësimin e tij të lartë për mbështetjen e vazhdueshme të popullit Japonez dhe Qeverisë së Japonisë për sektorin shëndetësor me theks të veçantë në mbështetjen gjatë pandemisë me masa mbrojtëse, ilaçe, pajisje dhe mbështetjen që pritet në të ardhmen.
Përveç dhurimit të sotëm, pajisjet si aparatura me ultratinguj dhe rrezet-X të lëvizshme pritet të arrijnë në Kosovë këtë verë.
Pajisjet do të shpërndahen nga sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet e tjera rajonale në të gjithë Kosovën. /abcnews.al/


