Byroja Kombëtare e Hetimit njofton se 421 kandidatë nga 527 që aplikuan për hetues kanë arritur që të kualifikohen për fazën tjetër, që do të jetë testi i arsyetimit logjik me shkrim në datë 27 maj. Testi i arsyetimit logjik zgjat 1 orë dhe përbëhet nga 30 pyetje. Testimi do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve, hyrja përballë Presidencës.
Në njoftim theksohet se për shkak të numrit të lartë të kandidatëve të kualifikuar testimi do zhvillohet në dy faza:
- Ora 08.00 – 12.00, të datës 27.05.2021, do paraqiten për testim kandidatët që janë në listë, me numër rendor nga 1 (një) deri në numrin rendor 210 (dyqind e dhjetë);
- Ora 13.00 – 17.00, të datës 27.05.2021, do paraqiten për testim kandidatët që janë në listë, me numër rendor nga 211 (dyqind e njëmbëdhjet) deri në numrin rendor 421 (katërqind e njëzetë e një) .
Kandidatët në testin me shkrim duhet të jenë të pajisur me maska për sigurinë shëndetësore, ndaj pasojave të infeksionit COVID – 19.Rregulli përcakton që kandidatët para se të hyjnë në testin me shkrim duhet të regjistrohen duke paraqitur një dokument identifikimi me fotografi (pasaportë ose kartë identiteti).
Gjatë regjistrimit secilit kandidatë do t`i jepet një kod, i cili vendoset tek fleta e testit. Kandidatëve do t`u jepen udhëzime për zhvillimin e testimit, dhe udhëzimi për plotësimin e fletës së SCANTRON-it, etj.
Kandidatët gjatë zhvillimit të testit me shkrim, në ambientin ku zhvillohet testi, nuk lejohet të mbajnë telefona celularë, pajisje elektronike, libra ose shënime. Nuk lejohet asnjë lloj komunikimi me kandidatët e tjerë pasi kanë hyrë në ambientin ku zhvillohet testi.
Në njoftim kandidatëve u kërkohet që të kenë parasysh që “mosrespektimi i këtyre rregullave dhe udhëzimeve të tjera të dhëna nga vëzhguesit do të rezultojnë në largimin e menjëhershëm të kandidatit dhe mos-kualifikimin e tij për në Byronë Kombëtare të Hetimit”.
Minimumi i pikëve për kualifikimin e kandidatëve në fazat e mëtejshme është 12 pikë. Për të parë listën me kandidatët e kualifikuar, kliko KETU
Kjo është hera e dytë që hapet gara për hetues të BKH-së, pasi procesi që nisi vitin e kaluar përfundoi me 28 kandidatë të kualifikuar në institucionin që njihet ndryshe si “FBI-ja shqiptare”.
db/ Abcnews.al